Bali Muharremaj uron 13 Qershorin: Dëshmorët janë themeli i lirisë që gëzojmë sot
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka uruar qytetarët me rastin e 13 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Suharekës dhe Ditës së Dëshmorëve, duke nderuar sakrificën e të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
Foto: Ilustrim
Në mesazhin e tij, Muharremaj theksoi se kjo datë e rëndësishme kujton guximin, përkushtimin dhe sakrificën e dëshmorëve, të cilët dhanë më të shtrenjtën për lirinë dhe dinjitetin e vendit.Ai shprehu mirënjohje të thellë për dëshmorët, familjet e tyre, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe invalidët e luftës, duke vlerësuar kontributin e tyre të pazëvendësueshëm në rrugën drejt lirisë.
“Sakrifica, dhimbja dhe kontributi juaj janë pjesë e pandashme e historisë sonë dhe themel i lirisë që gëzojmë sot”, ka thënë Muharremaj.Me këtë rast, ai u bëri thirrje qytetarëve që ta kujtojnë 13 Qershorin me krenari, duke ruajtur vlerat e lirisë, bashkimit dhe respektit për ata që e bënë të mundur këtë ditë.
