Avokati i Popullit nis hetime për forcën e ushtruar nga policia në rastet e Klinës dhe Lipjanit

08.07.2025

Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur procedura hetimore për përdorimin e forcës nga ana e zyrtarëve policorë në dy raste të ndara në Klinë dhe Lipjan, ku në këtë të fundit ka humbur jetën qytetari Agon Zejnullahu pas arrestimit.

Sipas njoftimit zyrtar, hetimi është hapur sipas detyrës zyrtare për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut, dhe për të monitoruar veprimet e Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Policor të Kosovës.

I riu nga Lipjani vdiq në orët e para të 7 korrikut, pasi ishte arrestuar nën dyshimin se në gjendje të dehur po sulmonte automjete dhe kalimtarë. Lidhur me këtë rast, pesë zyrtarë policorë janë ndaluar për 48 orë për “Vrasje nga pakujdesia”, ndërsa IPK ka rekomanduar suspendimin e tyre.

Avokati i Popullit thekson se ushtrimi i forcës përtej asaj të domosdoshme përbën shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe kërkon transparencë të plotë nga institucionet përgjegjëse për zbardhjen e rasteve.

“Çdo tejkalim i autorizimeve dhe çdo formë e dhunës janë të papranueshme dhe duhet të trajtohen me përgjegjësi të plotë,” thuhet në deklaratë.