Autoritetit i Konkurrencës në veprim, monitorohen çmimet e shportës bazike dhe sektorit të gastronomisë pas shqetësimeve të qytetarëve
Pas shqetësimeve të shumta të ngritura nga qytetarët në lidhje me rritjen e vazhdueshme të çmimeve të produkteve esenciale, përfshirë edhe bukën, Autoriteti i Konkurrencës ka ndërmarrë veprime konkrete duke dalë në terren për të monitoruar nga afër situatën.
Ky autoritet ka njoftuar zyrtarisht se aktualisht po zhvillon një analizë të thelluar mbi 20 produkte bazë me qëllim të identifikimit të shkaqeve që kanë çuar në rritjen e çmimeve në tregun e Kosovës.
Në fokus të veçantë të monitorimit është tregu i bukës. Autoriteti i Konkurrencës është aktualisht në proces të mbledhjes së informatave relevante për të vlerësuar nëse rritjet e fundit të çmimeve në këtë sektor janë të justifikuara ekonomikisht apo nëse ato bien ndesh me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.
“Autoriteti i Konkurrencës nuk ka mandat ligjor për të përcaktuar apo ulur çmimet. Megjithatë, ne ndërhyjmë në rastet kur konstatojmë se çmimet përcaktohen në mënyrë të bashkërenduar ose artificiale nga ndërmarrje konkurrente, duke shkelur kështu nenin 5 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës,” – thuhet në njoftimin zyrtar të Autoritetit.
Përveç produkteve bazë, nën vëzhgimin e Autoritetit të Konkurrencës është edhe sektori i gastronomisë. Rritja e çmimit të kafesë është veçanërisht nën lupën e inspektorëve të këtij autoriteti.
“Inspektorët e Autoritetit janë aktualisht në terren, duke kryer vizita në qytete të ndryshme të Kosovës për të mbledhur të dhëna dhe informacione direkte nga operatorët e tregut në sektorin e gastronomisë. Pas përfundimit të fazës së analizës dhe grumbullimit të informatave, nëse identifikohen shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, në përputhje të plotë me kompetencat tona,” – theksohet më tej në njoftim.
Autoriteti i Konkurrencës ka bërë të ditur se, bazuar në dispozitat ligjore, ka mundësinë të ndërmarrë masa të përkohshme. Këto masa mund të përfshijnë fillimin e procedurave dhe marrjen e vendimeve për vendosjen e masave ndaj ndërmarrjeve në rastet kur ekziston rreziku i dëmtimit të pariparueshëm të konkurrencës në treg, veçanërisht kur veprimet e caktuara çrregullojnë funksionimin normal të tregut.
“Masat e përkohshme kanë një kohëzgjatje deri në gjashtë (6) muaj, me mundësinë e zgjatjes së kësaj periudhe nëse Autoriteti e vlerëson të domosdoshme. Ne mbetemi të palëkundur në angazhimin tonë për të mbrojtur konkurrencën e shëndetshme, interesat e konsumatorëve dhe funksionimin e drejtë të tregut në Kosovë,” – përfundon njoftimi i Autoritetit të Konkurrencës.
Ky veprim i Autoritetit vjen si përgjigje ndaj shqetësimeve në rritje të qytetarëve dhe pritet të sjellë më shumë qartësi mbi arsyet e rritjes së çmimeve dhe nëse ka shkelje të mundshme të ligjit të konkurrencës.