ATK këtë vit tejkaloi parashikimet në mbledhjen e të hyrave për buxhetin e shtetit
- 29.12.2022

Administrata Tatimore e Kosovës ka prezantuar sot punën gjatë vitit 2022.
Ilir Murtezaj nga ATK theksoi se vitin 2022 karakterizohet me tejkalimin e të gjitha parashikimeve në mbledhjen e të hyrave për buxhetin e shtetit, të cilat shënojnë 721.6 milionë euro.
Ai tha se përveç realizimit të planit për këtë vit, ATK ka arritur të inkasoj mbi 10 milionë euro më shumë se plani i rishikuar.
“Rritje dhe tejkalim të të hyrave kemi edhe nëse krahasojmë këtë vit me vitin 2021, ku shifrat shkojnë në 124 milion euro.
Mbledhja e të hyrave nuk janë i vetmi indikatorë që ATK ka shënuar progres këtë vit, progres ka edhe në trajtimin e borxheve tatimore, tek të cilat është arritur të kemi 152.2 milion euro borxh të mbledhur.
Veç kësaj, këtë vit ATK njofton se janë ndërmarr një numër i konsiderueshëm i aksioneve për konfiskim të borxheve ndaj tatimpaguesve, të cilët nuk i kanë respektuar afatet dhe kushtet për t’i kryer obligimet tatimore.
Fokusi i ATK-së këtë vit ka qenë më theks të veçantë edhe në përmirësimin e përmbushjes tatimore, në sektorët të cilat sipas analizës së riskut kanë paraqitur hendek tatimore. Për të pasur rezultat ATK ka punuar që të ketë trajtim sektorial, përmes 5 projekteve të cilat janë duke trajtuar sektorin e ndërtimtarisë, punësimit joformal, gastronomisë dhe hotelerisë, mallit pa dokumentacion/mungesa në stoqe, si dhe mos-deklaruesit.
ATK gjatë vitit 2022 u vlerësua lartë për performancën e saj nga të gjitha institucionet ndërkombëtare të cilat bëjnë monitorimin e punës së ATK-së, sikurse raportet e vlerësimit nga: FMN-ja, raporti i KE-së, OECD-së, USAID, si dhe vlerësimet nga Ambasada e Britanisë së Madhe dhe institucionet tjera.
Në kuadër të këtyre informacioneve, drejtori i ATK-së përmendi hetimet që janë kryer karshi monitorimit të rrjeteve sociale përmes veglës analitike, tek të cilat është konstatuar 1.9 milion euro qarkullimi shtesë.
Tek pjesa e bashkëpunimit me qytetarë për evazion tatimor, të cilët kanë shfrytëzuar kanalet e raportimeve, siç janë; linja pa pagës 0800 80 800, vegla për verifikim të punëtoreve dhe kutia e vërejtjeve, janë raportuar 2,379 raste, ku pas verifikimeve në teret janë lëshuar 1,087 gjoba.