ASK: Paga mesatare bruto në Kosovë u rrit në 713 euro gjatë vitit 2025

01.06.2026

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë të ditur se paga mesatare bruto në Kosovë gjatë vitit 2025 ka arritur në 713 euro, krahasuar me 639 euro sa ishte në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej 11.6 për qind.

Sipas ASK-së, paga mesatare neto është rritur në 636 euro nga 552 euro në vitin paraprak, që përfaqëson një rritje prej 15.2 për qind.Pagat më të larta janë regjistruar në ndërmarrjet publike, ku paga mesatare bruto ka arritur në 915 euro, ndërsa sektori privat vazhdon të ketë pagat më të ulëta, me një mesatare bruto prej 666 eurosh.

Nga aktivitetet ekonomike, sektori i informimit dhe komunikimit ka shënuar pagën mesatare më të lartë me 1,216 euro bruto, i ndjekur nga furnizimi me energji elektrike, gaz dhe avull me 1,133 euro bruto.

Ndërkaq, pagat më të ulëta janë regjistruar në kategorinë “Shërbime të tjera”, me 425 euro bruto.Pas publikimit të të dhënave, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, e cilësuan rritjen e pagave si rezultat të politikave qeveritare gjatë mandatit të tyre.