Apeli rrëzon dënimet për 9 të akuzuarit për dëmtim buxheti prej mbi 2 milionë euro
Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke shpallur aktgjykim lirues për nëntë të akuzuarit në rastin e dëmtimit të buxhetit të shtetit në vlerë mbi 2 milionë euro.
Shaip Ferizi, Shqipe Avdiu, Arben Jashari, Mustafë Vitia, Mexhid Mustafa, Besnik Ferizi, Faton Topanica, Arsim Topanica dhe Ajdar Jashari ishin dënuar nga Themelorja me mbi 12 vite burgim në total.
Ata akuzoheshin se nuk i kishin dorëzuar cigaret në vlerë prej 2 milionë e 931 mijë e 929 euro e 8 centë në KFOR, por ua kishin shitur kompanive të tjera pa banderolë, duke shkaktuar evazion fiskal në buxhetin e Kosovës në shumën prej 2 milionë e 441 mijë e 927 euro e 71 centë. Themelorja i kishte dënuar ata për “Keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi” dhe ndihmë në kryerjen e kësaj vepre.
Pas ankesave të Prokurorisë Speciale dhe mbrojtësve të të akuzuarve, Kolegji i Apelit ka konstatuar se ankesat e mbrojtësve janë të bazuara, ndërsa ajo e Prokurorisë Speciale e pabazuar.
Sipas Apelit, vendimi i Themelores përmban vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe gabimisht i ka shpallur fajtorë të akuzuarit. Apeli ka arsyetuar se me veprimet e të akuzuarve nuk përmbushen elementet e veprës penale për të cilën ata janë shpallur fajtorë.
Në arsyetim, Apeli thekson se Prokuroria nuk kishte provuar strukturën e grupit për akuzën e “Krimit të organizuar” dhe se të akuzuarit nuk kishin pozitë zyrtare për t’u cilësuar për “Shpërdorim të detyrës zyrtare”. Lidhur me “Keqpërdorimin e autorizimeve në ekonomi”, Apeli gjen se nuk është vërtetuar që veprimet janë kryer me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për organizatën e biznesit.
Pavarësisht se Apeli konsideron se ka pasur veprime të kundërligjshme nga të akuzuarit, ai thekson se Gjykata nuk mund të krijojë një akuzë të re nëse Prokuroria nuk e ka ngritur atë. Për këtë arsye, të nëntë të akuzuarit janë liruar nga akuzat për të cilat ishin shpallur fajtorë nga Gjykata Themelore.