Ambasadorja izraelite: Kosovarët që duan të largohen nga Izraeli mund të kalojnë nga Egjipti e Jordania
Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, ka përshkruar situatën aktuale në Izrael si shumë të tensionuar dhe plot ankth, por me shpresë se operacioni i tyre do të jetë i suksesshëm.
Në një bisedë të drejtpërdrejtë nga Izraeli për RTK, ajo theksoi rëndësinë e këtij operacioni kundër Iranit.
“Si ta them, situata këtu është shumë e tensionuar, ka shumë ankth, por ne mbetemi me shpresë që qëllimi për të cilin e kemi filluar këtë operacion ndaj Iranit do të jetë i suksesshëm dhe do të na ndihmojë të eliminojmë kërcënimin ekzistencial që Irani ka vënë kundër nesh për dhjetëra vite me radhë,” deklaroi Ziv.
Ambasadorja Ziv tregoi se është në kontakt të vazhdueshëm me ambasadoren e Kosovës në Izrael dhe se ka komunikuar edhe personalisht me shumë kosovarë që jetojnë atje.
“Kam lidhje shumë të afërt me shefen e misionit të Kosovës në Izrael, por edhe me qytetarë të tjerë kosovarë që banojnë në Izrael. Me disa kam biseduar edhe vetë dhe më duhet të them që ata që kam kontaktuar janë në disponim shumë të mirë,” tha ajo. Ziv sqaroi se kosovarët në Izrael po i ndjekin udhëzimet e forcave të sigurisë dhe komandës.
Për ata kosovarë që dëshirojnë të largohen nga Izraeli në këtë periudhë, ambasadorja tha se mund ta bëjnë këtë duke kaluar përmes Egjiptit dhe Jordanisë. Ajo shtoi se ata janë në kontakt me Ambasadën e Kosovës, e cila u ofron të gjitha informatat dhe opsionet.