Ambasadori Rohde: Kosova urgjentisht të formojë institucionet, bllokada dëmton imazhin dhe pengon përfitimet nga BE

28.05.2025

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka theksuar se Kosova urgjentisht duhet të formojë institucionet e reja dhe se politikanët duhet të vendosin interesin e shtetit mbi atë partiak.

Pas dështimit të 22-të radhazi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Rohde, në një deklaratë për KosovaPress, e ka cilësuar situatën aktuale si një ngërç dhe ndalesë që po ndikon negativisht në perceptimin e Kosovës nga jashtë.

Ai ka paralajmëruar se mungesa e institucioneve funksionale jo vetëm që ndikon në proceset e brendshme të vendimmarrjes, por gjithashtu pengon Kosovën të përfitojë nga iniciativat ndërkombëtare, siç është Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

“E përshkruan fjala, është ngërç, është ndalesë. E thashë javën e kaluar, i bën njerëzit apatik dhe gjëja e fundit që i nevojitet një demokracie të gjallëruar është bllokada. Njerëzit kanë kryer punën e tyre me 9 shkurt dhe politikanët duhet të vendosin shtetin të parin, ndërsa politikën e partisë të dytën. Pra, mendoj se nevojitet urgjentisht që Kosova të formojë institucionet. Por, nuk është puna ime të bëjë punën e politikanëve, unë mund vetëm të observoj por mund të të them për siguri se nuk rrit imazhin e Kosovës jashtë vendit. Nëse nuk ke një institucion funksional është e vështirë të bësh detyrat e shtëpisë, sepse nuk ke fuqinë e prokurës të bësh vendime të vështira, të cilat nevojiten tani. Pavarësisht se a janë paratë e Planit të Rritjes të BE-së, të cilat janë në pritje për shkak se Kuvendi i Kosovës nuk është funksional, pra nuk mund të ratifikosh marrëveshjen,” ka theksuar Rohde.

Deklarata e ambasadorit gjerman vjen në një kohë kur Kosova po përballet me vështirësi në formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të fundit, duke shkaktuar shqetësime në rrethet ndërkombëtare.