Ambasada Franceze: Kosova ta çojë Draft-Statutin në Kushtetuese për të siguruar përkrahje drejt anëtarësimit në KiE

10.05.2024

Ambasada e Francës në Prishtinë ka thënë se Parisi zyrtar rekomandon që Qeveria e Kosovës të dorëzojë Draft-Statutin për Asociacionin në Gjykatë Kushtetuese, në një mënyrë e cila do të jetë e përshtatshme për Gjykatën.

Ambasada Franceze: Kosova ta çojë Draft-Statutin në Kushtetuese për të siguruar përkrahje drejt anëtarësimit në KiE Foto: Ilustrim

Nga ambasada e Francës potencojnë se Statuti ka përkrahjen e plotë të vendeve që mbështesin dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe theksojnë se Drafti i BE-së deri tani paraqet bazën më të mirë dhe të vetme për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ky statut është miratuar plotësisht nga vendet që mbështesin dialogun e udhëhequr nga BE. Ai ofron deri tani bazën më të mirë dhe të vetme për krijimin e Asociacionit”, ka thënë Ambasada e Francës në një përgjigje për T7.

Dërgimi i Draftit në Gjykatë Kushtetuese për interpretim, sipas Ambasadës së Francës , do të jepte një sinjal të fortë të përkushtimit të Kosovës për të themeluar atë dhe do të tregonte përkushtimin e Kosovës për të drejtat e pakicave, si një prej shtyllave të Këshillit të Evropës dhe në të njëjtën kohë do të një hap i mirëpritur për të siguruar përkrahje në rrugën drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës.

“Dërgimi i draft statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për interpretim do të dërgonte një sinjal të fortë të përkushtimit të Kosovës për të përmbushur këtë çështje dhe do të demonstronte më tej përkushtimin e Kosovës për të drejtat e pakicave, që është një nga shtyllat e Këshillit të Evropës, dhe do të ishte prandaj një hap i mirëpritur për të siguruar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, kanë përfunduar nga Ambasada e Francës.

Të njëjtin qëndrim për rrugën e anëtarësimit në Këshill të Evropës e kanë edhe Gjermania dhe Italia. Edhe emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se SHBA s’ka votë në Këshill, por që Asociacioni dhe anëtarësimi në KiE janë të ndërlidhura.

Kryeministri Albin Kurti në një paraqitje nga mbledhja e Qeverisë së Kosovës e ka konsideruar si absurd kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me themelimin e Asociacionit. Për më tepër, Kurti ka thënë se Draft Statuti i BE-së s’është dokument por vetëm një “non-paper”, meqë i njëjti s’është pranuar në takimin e dhjetorit që të nënshkruhet në kuadër të pakos ku përfshihet edhe Marrëveshja për Normalizim.