Ambasada e Turqisë në Kosovë kundërshton hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem

Ambasada turke në Prishtinë, përmes një postimi në Facebook, ka reaguar rreth vendimit të Kosovës për njohjen e Izraelit dhe hapjen e zyrës në Jerusalem.

Kjo ambasadë thotë se Turqia ka kundërshtuar hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

“Nga postimet në mediat sociale të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Kryeministrit Hoti dhe Ministres të Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj-Stublla është kuptuar se përveç njohjes reciproke të Kosovës dhe Izraelit, një angazhim është bërë edhe nga Kosova për të hapur një Ambasadë në Jeruzalem.

Është zhgënjyese që një hap i tillë, i cili do të përbënte një shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare madje të merret në konsidideratë nga autoritetet e Kosovës.Turqia, një nga vendet e para që njohu Kosovën, gjithashtu ka siguruar një mbështetje të madhe për përpjekjet drejt njohjes ndërkombëtare të këtij vendi që nga fillimi.

Sidoqoftë, ne nuk e shohim të drejtë që ky proces të ndërtohet në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe veçanërisht mbi vuajtjet e popullit palestinez, territoret e të cilit janë nën okupim.

Është theksuar vazhdimisht nga rezoluta të ndryshme të OKB që konflikti palestinez mund të zgjidhet vetëm përmes krijimit të një Shteti të pavarur, sovran dhe të afërt të Palestinës bazuar në kufijtë e 1967 me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.

Ne i bëjmë thirrje udhëheqjes së Kosovës që të veprojë në përputhje me këto rezoluta dhe të përmbahet nga veprimet që do të dëmtonin statusin historik dhe ligjor të Jerusalemit dhe që do të parandalonin që Kosova të njihet nga shtetet e tjera në të ardhmen” thuhet në reagimin e ambasadës së Turqisë në Kosovë.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.