Albena Reshitaj do ta udhëheq Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale
- 25.02.2020

Sot është konstituuar Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Kuvendin e Kosovës.
Ky komision do të udhëhiqet nga Albena Reshitaj nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila tha se do të punojnë që komisioni për shëndetësi do të jetë shembull i bashkëpunimit në të mirë të qytetarit.
“Duhet te jete shembull i mire i bashkëpunimit pa dallime partiake se prek qytetarin mirëqenien e tij”, tha ajo.
Po ashtu Reshitaj tha se: “I kemi njerëzit të devotshëm të shëndetësisë. Mendoj që është fillim i mirë i një suksesi të mëtutjeshëm të këtij komisioni”.
Nënkryetari i komisionit nga radhët e LDK-së, Haxhi Avdyli tha se edhe në mandatin e kaluar ky komision ka funksionuar mirë dhe kërkoi nga anëtarët e rinj që të vazhdojnë me trendin e njëjtë.
“Duke u bazuar në përvojën komisionit në mandatin e kaluar ku kemi pas debate e bashkëpunim kjo praktike, shpresoj të vazhdohet edhe në këtë mandat në të mirë të qytetarit e përmirësimit te kushteve të sistemit shëndetësor”, tha Avdyli.
Anëtarët e këtij komisioni diskutuan edhe për Coronavirusin, ku thanë se duhet të ftohen në komision drejtuesit e institucioneve përgjegjëse, duke përfshirë edhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitinë për të dhënë informacione shtesë rreth situatës dhe parapërgatitjes kundër këtij virusi.
“Mbledhjen tjetër të vizitojmë QKUK, përgjegjësit IKShP-në dhe të rekomandojmë ministrin e Shëndetësisë dhe ministrinë e Jashtëm që të jenë të përgatitur”, tha kryetarja Albena Reshitaj.