Alarmi për “bombë” në Gjakovë rezulton element skenik i teatrit
Një alarm për një mjet të dyshuar shpërthyes në stacionin e autobusëve në Gjakovë ka vënë në lëvizje të gjitha njësitet e sigurisë.
Ajo që fillimisht u konsiderua një kërcënim serioz për sigurinë publike, përfundoi si një keqkuptim i paqëllimshëm, i lidhur me një shfaqje teatrore.
Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur më 2 qershor 2025, rreth orës 18:30. Ishte raportuar se një pako me një mjet të dyshuar eksploziv ishte dërguar me linjën e autobusëve “Kushtrimi NM” nga Gjakova për në Prishtinë.
Dy punonjës të kompanisë, V.G. (rreth 42-vjeçar) dhe K.M. (rreth 47-vjeçar), kishin pranuar porosinë nga një person i panjohur, me destinacion Prishtinën. Megjithatë, pasi askush nuk u paraqit për të marrë pakon në Prishtinë, ajo u kthye sërish në Gjakovë. Pas hapjes së pakos, punonjësit gjetën një jelek të dyshimtë, për të cilin fillimisht dyshuan se mund të ishte i pajisur me eksploziv.
Menjëherë, në vendin e ngjarjes reaguan me urgjencë njësitet relevante të Policisë së Kosovës, përfshirë edhe njësinë e deminimit, e cila largoi dhe analizoi mjetin e dyshuar.
Pas hetimeve të shpejta të kryera nga Sektori Rajonal i Hetimeve – DRP Gjakovë, u konstatua se pakoja përmbante një jelek të improvizuar, i cili ishte pjesë e kostumografisë së Teatrit “Hadi Shehu” në Gjakovë. Ky jelek ishte destinuar për një shfaqje teatrore apo xhirim filmi në Prishtinë.
Rasti ka treguar për reagimin e shpejtë dhe profesional të institucioneve të sigurisë në Kosovë, edhe pse në fund u shfaq si një ngjarje me rëndësi të papritur.