Aksion i gjerë në Prishtinë, arrestohen avokati dhe instruktori për mashtrim milionësh

11.06.2025

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka realizuar sot një aksion të gjerë në katër lokacione të ndryshme në Prishtinë, duke goditur një skemë të dyshuar mashtrimi dhe falsifikimi dokumentesh.

Ky aksion vjen pas disa muajsh hetimesh intensive.Sipas komunikatës së përbashkët për media, operacioni u zhvillua bazuar në një urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila autorizonte kontrollin dhe sekuestrimin e përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve. Hetimet kishin për qëllim zbardhjen e veprave penale të falsifikimit të dokumenteve, legalizimit të përmbajtjes së rreme dhe mashtrimit. Si rezultat i këtij aksioni, janë arrestuar dy persona: V.H., me profesion avokat, dhe D.I., instruktor.

Prokuroria bën të ditur se të dyshuarit kanë vepruar me qëllim përfitimi pasuror personal, duke falsifikuar dokumente dhe më pas i kanë legalizuar ato si të vërteta. Kjo ka çuar në mashtrimin e individëve të ndryshëm, duke shkaktuar dëm financiar që kap shifrën e disa milionë eurove.

Në kuadër të aksionit janë sekuestruar dokumente të ndryshme që lidhen drejtpërdrejt me veprat penale të përmendura. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë. Autoritetet kompetente do të vazhdojnë me veprimet procedurale për mbledhjen e mëtejshme të provave brenda afateve ligjore.

Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se mbetet i përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për parandalimin e këtyre veprave, si dhe dërgimin para gjykatës të çdo kryerësi të këtyre veprave penale.