Akoma web faqet e komunave jo-funksionale, Qeveria nuk merr asnjë masë

29.04.2023

Dje, në mëngjes, nga të gjithë Zyrtarët për Komunikim me Publikun është vërejtur edhe një problem tjetër, ku të gjitha dokumentet, si vendimet e Kuvendit, Kryetarit, dokumentet e prokurimit, strategjitë, konkurset, shpalljet, ftesat për takime publike, ftesat për mbledhje të Kuvendit dhe të Komitetit për Politikë dhe Financa dhe çdo dokument tjetër që është publikuar […]

Akoma web faqet e komunave jo-funksionale, Qeveria nuk merr asnjë masë Foto: Ilustrim

Dje, në mëngjes, nga të gjithë Zyrtarët për Komunikim me Publikun është vërejtur edhe një problem tjetër, ku të gjitha dokumentet, si vendimet e Kuvendit, Kryetarit, dokumentet e prokurimit, strategjitë, konkurset, shpalljet, ftesat për takime publike, ftesat për mbledhje të Kuvendit dhe të Komitetit për Politikë dhe Financa dhe çdo dokument tjetër që është publikuar gjatë vitit 2022, kanë humbur nga ueb faqet e Komunave.

Ky është një shqetësim tejet i madh, pasi që tani është edhe koha e raportimit për Grantin e Performancës për vitin 2022 dhe nuk po dihet se cili dokument është mbetur, e cili është larguar, ku janë qindra dokumente dhe është e pamundur të identifikohen se cilat mungojnë dhe duhet ri publikuar.

Zyrtarët për Komunikim me Publikun në Komuna, njëzëri nuk do të raportojnë në platformën e Grantit të Performancës për vitin 2022, pasi që të gjitha penalizohen për shkak se shumica e indikatorëve në këtë Grant, kanë të bëjnë me publikimin e dokumenteve.

Komunat janë duke u penalizuar jo vetëm në matjen për Grantin e Performancës nga MAPL-ja, por edhe ne të gjitha matjet e OJQ-ve, nga Auditorët e Jashtëm, mediat dhe në secilin dimension tjetër që ka të bëjë me transparencën komunale.

Shqetësimi nuk është vetëm në largimin e dokumenteve për vitin 2022, pasi që është viti i dytë, kur zyrtarët e ngarkuar për publikimin e dokumenteve, kanë tejet vështirësi dhe shumë herë edhe nuk janë funksionale ueb faqet, ndërsa Qeveria asnjë herë nuk është marrë me këtë problem.

Zyrtarët e ngarkuar për publikimin e dokumenteve, kanë përgjegjshmëri të lartë në mirëmbajtjen e tyre dhe fal përkushtimit të tyre, shumica e komunave në vlerësimet që ju bëhen, sikurse nga niveli qendror për grant të performancës, ashtu edhe nga shoqëria civile e mediat, kanë avancim shumë të theksuar në transparencë, sidomos pas unifikimit të ueb faqeve me programin WordPress, por tani pa fajin e tyre, Komunat në Republikën e Kosovës do të penalizohen në matjen e performancës.

Këto shqetësime ka kohë që janë ngritur nga Kolegjiumi për Komunikim me Publikun dhe Kolegjiumin e Zyrtarëve Komunale të IT-ve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës.