AGK: Të ndalet fushata e rrezikshme e deputetëve të VV-së ndaj dy mediumeve
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka denoncuar atë që e quan fushatë të rrezikshme akuzuese të deputetëve të VV-së kundër portaleve “Periskopit” dhe “Nacionales”.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, përmes një reagimi, thotë se është i alarmuar me fushatën e re të Lëvizjes Vetëvendosje kundër medieve në Kosovë.
“Deputetët Sali Zyba dhe Dimal Basha, kanë shpërndarë një artikull të një mediumi të quajtur “Slobodna Bosna” (shqip: Bosnja e Lirë), nëpërmjet të cilit ata akuzojnë medie në Kosovë që, sipas tyre, “janë nën kontroll të Serbisë dhe Vuçiqit”, thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK-ja thotë se dënon fuqishëm këtë fushatë të rrezikshme dhe të papranueshme të deputetëve të partisë qeverisëse, Vetëvendosje, që i targeton këto dy mediume dhe gazetarët që punojnë aty.
“Fushata si kjo, e rrezikojnë seriozisht sigurinë e gazetarëve të këtyre dy mediumeve, dhe Vetëvendosja e deputetët e saj duhet të mbahen përgjegjës për nxitjen e urrejtjes dhe sulmeve potenciale kundër tyre”, thuhet në reagimin e AGK-së, e cila i bën thirrje kryeministrit Kurti dhe Vetëvendosjes që të mos angazhohen në fushata të tilla të papranueshme, që kanë për qëllim frikësimin e gazetarëve në Kosovë për të bërë punën e tyre.
Në reagimin e saj AGK-ja thotë se shpreh keqardhje që një “lajm”, si ky që sulmon kolegët, ka gjetur hapësirë edhe në Lajmet Qendrore të Televizionit Publik të Kosovës.
RTK sqaron publikun se ky lajm i përkthyer nga mediumi fqinj, i publikuar dhe transmetuar në transmetuesin publik, nuk përmend emrat e portaleve kosovare.