AGK thirrje VV-së dhe Osmanit: Sami Kurteshi të largohet nga KQZ

04.12.2025

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar fuqishëm gjuhën e papërgjegjshme dhe sulmuese të anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, i cili është edhe anëtar i partisë politike Vetëvendosje.

Në një reagim publik, Kurteshi e quajti AGK-në “Aleancë të Grupeve Kriminale” dhe listoi disa media, që sipas tij, veprojnë si “vrasës me pagesë”.

AGK-ja ka theksuar se:

“Këto akuza, përveç që janë të pabaza, paraqesin rrezik real për sulme të mundshme në të ardhmen ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të mediave në punën e tyre profesionale në terren. Deklaratat nxitëse të urrejtjes të z. Kurteshi janë vazhdimësi e një fushate linçuese ndaj gazetarëve, me qëllim frikësimin e tyre dhe minimin e lirisë së medias në vend.”

Në këtë kontekst, AGK-ja ka bërë thirrje që të Vetëvendosja, lideri i saj Albin Kurti, si dhe Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, të konsiderojnë largimin e Kurteshit nga pozicioni i tij në KQZ, për të parandaluar rrezikun dhe për të mbrojtur integritetin e punës së mediave në Kosovë.

Ky reagim i AGK-së pasqyron shqetësimin e komunitetit të gazetarëve për mbrojtjen e lirisë së medias dhe sigurinë e gazetarëve në vend, ndërsa thekson rëndësinë e përgjegjësisë publike të zyrtarëve të institucioneve shtetërore.