Abdixhiku: Të shtunën flet anëtarësia e LDK-së, vendosim për drejtimin e shtëpisë sonë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se këtë të shtunë do të mbahet Kuvendi i LDK-së, ku anëtarësia do të diskutojë dhe do të vendosë për të gjitha çështjet e brendshme të partisë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Abdixhiku theksoi se LDK nuk është parti që frikësohet nga vota, gara apo nga vetë anëtarësia e saj, duke nënvizuar se vendimet e rëndësishme janë marrë gjithmonë në Kuvend, hapur, me debat dhe me shumicë votash, edhe në kohë shumë më të vështira.
Ai bëri të ditur se tashmë ka dërguar ftesën zyrtare për delegatët e LDK-së dhe se procesi i së shtunës do të zhvillohet me vullnet të lirë dhe votë të lirë, siç i takon një partie demokratike.
“Shtëpia jonë politike do të dalë nga ky proces më e fortë, më e organizuar dhe më e përqendruar në të ardhmen e LDK-së dhe të Kosovës,” ka shkruar Abdixhiku, duke shtuar se tani është koha që të flasë anëtarësia e partisë.
