Abdixhiku emëron Kryesinë e re të LDK-së
Lidhja Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar përbërjen e re të Kryesisë, në kuadër të riorganizimit të brendshëm të miratuar në Kuvendin e 31 janarit.
Vendimi është marrë nga kryetari Lumir Abdixhiku, pas konsultimeve të brendshme dhe në përputhje me autorizimet e organit më të lartë të partisë.
Sipas komunikatës, përbërja e re synon të kombinojë përvojën institucionale me energjinë e re, duke forcuar organizimin e brendshëm dhe rritur efikasitetin në vendimmarrje.
Kryesia përfshin një numër të madh anëtarësh nga nivele të ndryshme të strukturave partiake, me qëllim përfaqësimin sa më të gjerë të degëve.
Kjo fazë konsiderohet kalimtare, pasi në ditët në vijim pritet që Kryesia të plotësohet edhe me përfaqësues nga degët e mëdha që aktualisht nuk janë të përfshira.
Po ashtu, Abdixhiku pritet të propozojë edhe Trupën Këshillëdhënëse, si pjesë e ristrukturimit të mëtejshëm.
LDK thekson se mbetet e përkushtuar për forcimin e brendshëm dhe ndërtimin e një alternative serioze për qytetarët e vendit.

