Abdixhiku akuzon ashpër qeverinë: “Pakoja e inflacionit është tentim për blerje vote me paratë e qytetarëve”

22.05.2026

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të fundit të qeverisë për shpërndarjen e pakove financiare, duke i cilësuar ato si një përpjekje të hapur për “blerje votash” në prag të zgjedhjeve.

Përmes një reagimi në llogarinë e tij në Facebook, Abdixhiku ka akuzuar pushtetin aktual për mungesë idesh, projektesh dhe punësh konkrete, duke thënë se po përdor çdo mjet të mundshëm për të qëndruar në pushtet me çdo çmim.​

“Kjo nuk është pako e inflacionit. Kjo është pako e tentimit për blerje vote. Një përpjekje e vonshme për të mbuluar dështimin qeverisës me paranë e vet qytetarëve,” ka shkruar lideri i LDK-së, duke e quajtur këtë masë një “ofendim zgjedhor” për dinjitetin e qytetarëve, të cilët, sipas tij, qeveria i ka lënë të parafundit në Evropë për nga zhvillimi.​

Më tej, Abdixhiku ka deklaruar se “populli i Kosovës nuk blihet dhe e ardhmja e tyre nuk është në shitje”, ndërsa ka bërë thirrje për hapjen e një kapitulli të ri politik në vend.

​Sipas kreut të LDK-së, Kosova ka nevojë për një qeverisje ku mirëqenia, pagat e dinjitetshme, mbështetja për familjet dhe investimet e mëdha nuk trajtohen si favore elektorale momentale, por si politika të përhershme shtetërore dhe detyrim i Republikës.