AAK konstituon Këshillin Drejtues, konfirmohen 108 anëtarë me mandat katërvjeçar
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen konstituive të Këshillit Drejtues, duke shënuar një hap të rëndësishëm në konsolidimin e strukturave drejtuese të partisë.
Foto: Ilustrim
Në përputhje me Statutin e partisë, gjatë këtij takimi janë konfirmuar 108 anëtarë të Këshillit Drejtues, të cilët do të ushtrojnë mandatin e tyre për një periudhë katërvjeçare.
Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, uroi të gjithë anëtarët për zgjedhjen e tyre dhe i falënderoi për angazhimin e treguar gjatë procesit zgjedhor. Ai theksoi nevojën për angazhim dhe mobilizim të mëtejmë në funksion të zhvillimit dhe fuqizimit të Aleancës në periudhën e ardhshme.
Sipas njoftimit, në ditët në vijim Këshillit Drejtues do t’i propozohet për miratim edhe përbërja e re e Kryesisë së Aleancës, duke përmbyllur kështu procesin e konsolidimit të strukturave udhëheqëse të partisë.
