75 vjet ekzistencë, lufta në Kosovë përmendet si histori suksesi në dokumentarin e NATO-s

02.04.2024

Aleanca Veri-Atlantike NATO ka realizuar një dokumentar me sfidat dhe sukseset përgjatë 75 viteve të ekzistencës së saj.

75 vjet ekzistencë, lufta në Kosovë përmendet si histori suksesi në dokumentarin e NATO-s Foto: German KFOR soldiers in their vehicles enter the ethnically divided town of Mitrovica July 30, 2011. NATO troops in Kosovo returned to their barracks on Friday after ethnic Serbs blocked them from reaching peacekeepers deployed at border posts with Serbia to halt violence provoked by a customs dispute. REUTERS/Hazir Reka (KOSOVO - Tags: CIVIL UNREST SOCIETY POLITICS)

NATO si aleanca më e suksesshme politiko-ushtarake në botë, përgjatë 75 viteve, ka arritur të përballojë sfidat, të zgjerojë rolin dhe misionin e saj dhe madje të rritet ndjeshëm në përmasa.

Nga dita e themelimit në 1949 deri në përforcimin e Evropës Lindore në 2022, ky dokumentar eksploron momentet që përcaktojnë Organizatën sot, përmes syve dhe përvojave personale të njerëzve që kanë parë këto momente kryesore nga perspektiva unike e brenda sa , si ish-stafi i NATO-s.

Aty përmendet se gjatë Luftës së Ftohtë, NATO e pengoi me sukses Bashkimin Sovjetik nga agresioni kundër Evropës Perëndimore.

Në vitet 1990, NATO ndihmoi për t’i dhënë fund konflikteve etnike në Ballkanin Perëndimor, dhe kur Rusia nisi pushtimin e saj brutal, në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022, NATO dërgoi trupat në Evropën Lindore, duke siguruar aleatët për sigurinë e tyre, ndërsa pengonte agresionin e mëtejshëm nga Rusia.

Ndër misionet e suksesshme të intervenimit të NATO-s përmendet edhe ndërhyrja në Kosovë për të parandaluar gjenocidin e vazhdueshëm të kryer kundër popullit të Kosovës. Aty potencohet se misioni paqeruajtës në kuadër të NATO-s, KFOR sot vazhdon të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Njëzet e katër marsi i sivjetmë shënoi 25-vjetorin e fillimit të sulmeve ajrore të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior, e njohur gjerësisht si NATO, kundër objektivave ushtarake dhe policore jugosllave në territorin e Kosovës.

Bombardimet e aleancës ushtarake perëndimore ndaj Jugosllavisë, që përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi, nisën pas dështimit të negociatave të vitit 1999 për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, teksa pala serbe refuzoi nënshkrimin e një marrëveshjeje për paqe në Rambuje.

Bombardimet, që zgjatën 78 ditë, u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që parashihte administrimin e Kosovës nga një mision i OKB-së.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë mundësoi edhe kthimin e më shumë se 800 mijë refugjatëve në shtëpitë e tyre.

Intervenimi i NATO-s shënoi fillimin e fundit të regjimit serb mbi Kosovën. Vite më vonë, më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj.

Aktualisht, në Kosovë janë rreth 4.700 trupa të NATO-s, përfshirë forcën rezervë, në kuadër të misionit paqeruajtës, KFOR.