26 vjet nga rënia e dëshmorëve dhe martirëve në Kaçanik
Sot, më 25 maj 2025, mbushen 26 vjet nga rënia heroike e 10 dëshmorëve dhe 11 martirëve në Komunën e Kaçanikut, ngjarje e ndodhur më 25 maj 1999.
Me rastin e këtij përvjetori, Këshilli Organizues, në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dega në Kaçanik dhe me mbështetjen e Komunës së Kaçanikut, ka organizuar një sërë manifestimesh përkujtimore për të nderuar kujtimin e tyre.
Manifestimi qendror përkujtimor do të mbahet sot, duke filluar nga ora 16:00, në shkollën Fillore “Jusuf Gërvalla” në Biqec.
Gjatë ditës, do të ketë gjithashtu homazhe dhe vendosje lulesh në vende të ndryshme ku kanë rënë dëshmorët dhe martirët:
- Ora 11:00: Tek Lagjja Kuka, Pllaka përkujtimore e dëshmorëve Shaqir Kuka e Sakip Hysa.
- Ora 12:30: Biqec, “Arat e Stanit”, Pllaka përkujtimore e dëshmorëve Qemal e Sadik Guri.
- Ora 14:00: Lagjja Zharku, Pllaka përkujtimore e dëshmorit Avdulla Baftiu, Nazmi Osmani dhe Kemal Kolshi.
- Ora 15:30: Nikaj, Monumenti përkujtimor i dëshmorëve të fshatit Nikaj (Feriz, Xhevdet, Qemajl e Sadik Guri).
- Ora 15:45: Biçec, Bustet e dëshmorëve Habit Dullovi, Fadil Bunjaku e Fatmir Horuni dhe pllakat përkujtimore të martirëve.
Pas manifestimit qendror, do të bëhen homazhe pranë varrezave të dëshmorëve.
Për të nderuar kujtimin e tyre, sot në Kaçanik mbahen edhe turne memorialë në futboll të vogël: Turneu i futbollit “Avdulla Baftiu dhe Bashkim Vishi” në Shkollën Fillore “Kadri Zeka” në Dubravë dhe Turneu i futbollit “DIKI” në Nikaj.
Kjo ditë shërben si një kujtesë e sakrificës së 10 dëshmorëve (Shaqir Kuka, Sakip Hysa, Avdulla Baftiu, Nazmi Osmani, Kemal Kolshi, Qemal Guri, Sadik Guri, Habit Dullovi, Fadil Bunjaku e Fatmir Horuni) dhe 11 martirëve për lirinë e Kosovës.