25 vjet nga masakra e Mitrovicës, dhimbja dhe kujtimet nuk shuhen

03.02.2025

Sot shënohen 25 vjet nga një prej ngjarjeve më të rënda të ndodhura në Kosovë, masakra në veri të Mitrovicës në natën e 3 dhe 4 shkurtit.

E njohur si “Rojat e urës”, kjo masakër la pas vetes dhjetë shqiptarë të vrarë, në mesin e tyre fëmijë, gra e pleq, si dhe shumë të tjerë të plagosur. Rreth 12 mijë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre, duke u detyruar të kalojnë në jug të qytetit, ndërsa pas tyre lanë pas shtëpitë e tyre të shkrumbuara.

Viktimat e kësaj masakre ishin Nezir e Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi. Sipas dëshmitarëve, operacioni i vrasjeve u drejtua nga MPB e Serbisë, me në krye ish-komandantin Dragan Delibashiq, Oliver Ivanoviq dhe të tjerë.

Kjo masakër e tmerrshme, e kryer në prani të ushtarëve francezë të KFOR-it dhe policisë ndërkombëtare, siç kanë pohuar dëshmitarët, mbetet një plagë e thellë në kujtesën e të gjithëve. Ajo jo vetëm që shkaktoi humbje të pallogaritshme njerëzish, por gjithashtu shkatërroi jetë dhe familje të tëra.

Në vitin 2014, Gjykata Themelore në Mitrovicë e shpalli fajtor Oliver Ivanoviq me nëntë vjet burg për krime lufte ndaj shqiptarëve gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Megjithatë, shumë prej atyre që urdhëruan dhe kryen këto krime të tmerrshme nuk janë përballur ende me drejtësinë.

25 vjet më vonë, kujtimet e kësaj masakre janë ende të freskëta dhe dhimbja nuk është zbehur. Familjarët e viktimave dhe të mbijetuarit vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe llogaridhënie për këtë akt të shëmtuar. Ndërkohë, shoqëria kosovare përkujton me pietet viktimat dhe angazhohet që një tragjedi e tillë të mos përsëritet kurrë më.

Masakra e Mitrovicës shërben si një kujtesë e hidhur e luftës dhe pasojave të saj, por gjithashtu si një thirrje për paqe, drejtësi dhe pajtim. Ajo na kujton rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe ndërtimit të një të ardhme më të mirë për të gjithë.