14 Qershori, Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut

14.06.2025

Sot, më 14 qershor, bota kremton Ditën Botërore të Dhurimit të Gjakut, një ngjarje thelbësore e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi nevojën e vazhdueshme për produkte të sigurta të gjakut, si dhe të falënderojë heronjtë e heshtur – të gjithë dhuruesit vullnetarë që me këtë gjest fisnik shpëtojnë jetë njerëzish.

Gjaku është një pasuri e çmuar e jetës, i domosdoshëm si në ndërhyrje mjekësore të planifikuara, ashtu edhe në situata emergjence ku çdo sekondë vlen. Ai ndihmon pacientët që vuajnë nga sëmundje kërcënuese për jetën të jetojnë më gjatë dhe me një cilësi më të mirë, si dhe është thelbësor për kryerjen e trajtimeve mjekësore dhe ndërhyrjeve kirurgjike komplekse.

Rëndësia e gjakut shfaqet veçanërisht në trajtimin e emergjencave të të gjitha llojeve, duke përfshirë katastrofat natyrore, aksidentet, konfliktet me armë, si dhe në situata kritike gjatë kujdesit perinatal, ku shpëton jetë nënësh dhe fëmijësh.

Statistikat tregojnë se jeta dhe shëndeti i miliona njerëzve preken nga fatkeqësitë çdo vit. Vetëm në dekadën e fundit, fatkeqësitë kanë shkaktuar mbi 1 milion vdekje, duke prekur mbi 250 milionë njerëz çdo vit. Qofshin fatkeqësi natyrore si tërmetet, përmbytjet dhe stuhitë, apo ato të shkaktuara nga njeriu si aksidentet rrugore dhe konfliktet me armë, të gjitha krijojnë nevoja thelbësore për gjak në shërbimet shëndetësore.