111 kadetë të rinj i bashkohen Shërbimit Korrektues të Kosovës, Kurti: Forcojmë sigurinë e vendit

07.03.2025

Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) u pasurua me 111 kadetë të rinj, të cilët diplomuan në gjeneratën e 45-të. Në ceremoninë e diplomimit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi këtë ditë si të veçantë për SHKK-në dhe për sigurinë e vendit.

“Me diplomimin e gjeneratës së 45-të të Shërbimit Korrektues, ne forcojmë edhe më shumë sistemin tonë korrektues dhe i shtojmë radhët me profesionistë të përgatitur. Ata e ato do të jenë garantues të drejtësisë e rregullit në institucionet korrektuese,” tha Kurti.

Kreu i qeverisë theksoi se diplomimi i kadetëve është dëshmi e angazhimit për një sistem korrektues të fuqishëm, të sigurt dhe të drejtë. Ai vuri në dukje investimet e bëra në infrastrukturë, forcimin e njësive të specializuara dhe zgjerimin e programeve rehabilituese për të burgosurit.

Kurti përmendi gjithashtu rritjen e numrit të rasteve të parandalimit të kontrabandës në institucionet korrektuese, duke e lidhur këtë me angazhimin e shtuar në luftën kundër dukurive negative. Ai foli edhe për progresin në rritjen e numrit të grave që i janë bashkuar këtij shërbimi.

“Qeveria do të vazhdojë të mbështesë fuqizimin e Shërbimit Korrektues. Siguria, drejtësia dhe sundimi i ligjit janë shtylla të një shteti të fortë. Ju, nga sot jeni pjesë e kësaj shtylle,” u tha Kurti kadetëve të rinj.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, theksoi se SHKK-ja është një mekanizëm vendimtar për sigurinë publike, rehabilitimin e të dënuarve dhe garantimin e një sistemi korrektues që mbështetet në ligj, profesionalizëm dhe dinjitet njerëzor.

“Për shkak të përpjekjes sonë dhe angazhimit maksimal, ne sot vlerësohemi edhe nga raportet vendore e ndërkombëtare, siç është Raporti për Vendin, raportet e Këshillit të Evropës dhe DASH-it. Ne nuk po kremtojmë vetëm suksesin tuaj, por edhe fuqizimin e Shërbimit Korrektues. Ky fuqizim nuk është i rastësishëm, por rezultat i reformave,” tha Haxhiu.

Ajo vuri në dukje se gjatë katër viteve të fundit, 100 gra i janë bashkuar SHKK-së, duke treguar se ky institucion nuk është vetëm për burrat.

Drejtori i SHKK-së, Ismail Dibrani, bëri të ditur se në tri vitet e fundit është rritur siguria, me numrin e rasteve të parandalimit të kontrabandës që ka arritur në 500, nga 100 sa ka qenë më herët.