Tragjedi në Itali, 59-vjeçari shqiptar humb jetën tragjikisht gjatë një ecjeje malore 

29.06.2025

Një ekskursion solo u shndërrua në tragjedi për Gëzim Iljazin, 59-vjeçar me origjinë nga Shqipëria, i cili prej vitesh jetonte në provincën e Rovigos në Itali.

Ai humbi jetën ditën e shtunë, më 28 qershor, pas një aksidenti fatal në një itinerar malor në zonën e njohur turistike të Val Passiria.

Sipas raportimeve të para, ngjarja e rëndë ndodhi në “via ferrata” e ujëvarave të Stulles, një rrugë malore e pajisur me kabllo çeliku dhe mbrojtje për ngjitësit. Rreth mesditës, teksa ndodhej afërsisht në dy të tretat e rrugës, Gëzim Iljazi ra në boshllëk përreth 100 metra.

Dëshmitarë në vendngjarje treguan se fillimisht kishin parë çantën e shpinës të binte, e më pas edhe trupin e tij. Dyshohet se viktima mund të ketë hequr çantën pas përfundimit të një pjese të vështirë të itinerarit dhe ka humbur ekuilibrin teksa përpiqej ta rimerrte.

Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të ekipeve të shpëtimit – përfshirë Policinë Financiare, Karabinierët, ekipet alpine nga Tulles dhe Moso në Passiria si dhe helikopterin Pelikan 1 – për Gëzim Iljazin nuk mund të bëhej më asgjë. Ai kishte ndërruar jetë në vendngjarje.

Tragjedia ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, por edhe më gjerë, teksa ky aksident i rëndë vjen si kujtesë për rreziqet që fshehin aventurat e vetmuara në terrene malore.

Familjarët dhe miqtë janë në pritje të procedurave për kthimin e trupit dhe organizimin e ceremonisë mortore.