Një muaj paraburgim për 32 vjeçarin nga Suhareka i dyshuar për fajde dhe bixhoz
Ditë më parë një 32-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga policia e Suharekës, i dyshuar për dhënie borxhi me fajde.
Gjykata Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, me datë 11.12.2024, ka marrë AKTVENDIM, ndaj të pandehurit F.Sh., është CAKTUAR MASA E PARABURGIMIT, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale:
- Fajdeja nga neni 331, par.3 lidhur me par.1 dhe nenin 77, par.1, pikat: 1.1; 1.2; 1.3; 1.4 dhe 1.5 të KP-së.
- Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm nga neni 294, par.3 lidhur me par.2 dhe nenin 77, par.1, pikat: 1.1; 1.2; 1.3; 1.4 dhe 1.5 të KP-së.
Gjyqtari i procedurës paraprake, duke vlerësuar kërkesën e Prokurorit të Shtetit, shkresave të lëndës dhe provave materiale të grumbulluara deri në këtë fazë, ka gjetur se kërkesa për caktimin e e paraburgimit është e bazuar.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
Se nga muaji Shtator i vitit 2023 dhe në vazhdimësi, përkatësisht deri me datë 09.12.2024 për vete pranon dhe kontrakton shuma dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të personit të tillë, varfërinë dhe papërvojën e tij, në atë mënyrë që pasi i dëmtuari – viktima, nuk kishte pasur mundësi t’ia kthejë një borxh në shumën prej 70,000.00 €, të cilin borxh i detyrohej të pandehurit F.Sh., pasi që ky i fundit gjatë muajit Janar të vitit 2024, përmes një programi elektronik të lojërave të fatit të quajtur ‘……………’’, i kishte mundësuar të dëmtuarit të luajë bixhoz të paligjshëm, ashtu që në momentin kur viktima has në vështirësi që t’ia paguajë borxhin në fjalë, i pandehuri arrin ta bindë viktimën që në emrin e tij do të angazhohet dhe t’ia sigurojë paratë, në mënyrë që t’ia krijojë kushtet të njejtit për kthimin e borxhit, me ç’ rast në total viktima ka paguar para me fajde e cila kap vlerën prej 81,400.00 €, deri kur me datë 09.12.2024, në lokalin ‘…….. i cili gjendet në fshatin Shirokë – Komuna e Suharkeës, i pandehuri kapet në flagrancë nga ana e Policisë së Kosovës duke pranuar nga viktima paratë në shumën prej 5,000,00 € (pesëmijë euro) – në emër të kamatave të papaguara për paratë me fajde, të cilat i njëjti ia kishte dhënë viktimës me qëllim që ky i fundit do t’ia paguajë borxhin atij, të cilin borxh i njëjti i detyrohej të pandehurit si rezultat i humbjeve financiare nga lojërat të fatit – bixhozit të paligjshëm nga të cilat vështirësi financiare, viktima është detyruar ta shesë edhe biznesin e tij të gastronomiës dhe është larguar drejt shtetit të Gjermanisë
Caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm me qëllim të sigurimit të prezencës së pandehurit në fazën hetimore, dhe me qëllim të parandalimit të pengimit të procedurës hetimore, sepse në vazhdim do të merren deklaratat e të pandehurit, dëmtuarit dhe dëshmitarëve eventual, andaj me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë dhe prova.
Gjithashtu, duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyrën në të cilën dyshohet të jetë kryer vepra penale, dhe karakteristikat personale të të dyshuarit (I njohur për organet e drejtësisë), si dhe vendosmërinë e tij për të kryer veprën penale për të cilat dyshohet, kjo tregon rrezikun se i njëjti po të lihej në liri mund të përsërisë veprën penale të natyrës së njëjtë, ashtu që caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.
Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm.