Incidenti në mes të palëve në Gjykatën e Suharekës, zëdhënësi Lekaj jep detaje
Një incident i rëndë ka ndodhur sot në oborrin e Gjykatës Themelore – Dega në Suharekë, ku një person ka sulmuar me një mjet të fortë palën tjetër, pak para fillimit të një seance gjyqësore. Ngjarja ndodhi rreth orës 11:00, teksa palët po hynin në ambientet e gjykatës.
Sipas zëdhënësit për media të Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj, incidenti përfshin palët H.K. dhe B.B. Këta të fundit ishin thirrur për një shqyrtim gjyqësor lidhur me një rast të “lëndimit të lehtë trupor”, ku i dëmtuar ishte H.K. Ngjarja fillestare për të cilën do të mbahej gjyqi kishte ndodhur më 28 dhjetor 2024, dhe lënda ishte pranuar në Departamentin Penal të Gjykatës Themelore – Dega në Suharekë më 28 shkurt 2025.
Gjyqtari i procedurës kishte caktuar shqyrtimin fillestar për sot, 18 qershor, në orën 11:00. Mirëpo, teksa palët po hynin në oborrin e gjykatës, ende pa kaluar kontrollin e sigurisë fizike, pala H.K. nxori një mjet të fortë nga çanta dhe sulmoi personin B.B.
Menjëherë pas sulmit, sigurimi fizik i gjykatës, i cili ndodhej brenda objektit, reagoi dhe ndaloi konfliktin. Policia e Kosovës u njoftua menjëherë dhe ka filluar procedurat hetimore. Palës që pësoi lëndime iu dha ndihma mjekësore nga ekipet e emergjencës që mbërritën në vendngjarje.
Gjyqtari mbikëqyrës i Gjykatës Themelore – Dega në Suharekë ka ofruar bashkëpunim të plotë me Policinë e Kosovës për të zbardhur rrethanat e plota të këtij incidenti.