Grabitja e argjendarisë në Prizren dhe gjuajtja në drejtim të policisë në Suharekë, të akuzuarit mohojnë aktakuzën

26.01.2025

Të enjten është mbajtur seanca kundër tre të akuzuarve të cilët sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, më 15 nëntor 2021, në qytetin e Prizrenit, të akuzuarit L. L., A. A. dhe Eg. Sh., me dashje, kanë tentuar të kryejnë grabitje, por nuk ia kanë dalë ta përfundojnë plotësisht veprën penale.

I akuzuari i katërt El. Sh. gjendet në arrati, për të cilin është lëshuar urdhër-arrest, letër-rreshtim vendor dhe letër-rreshtim ndërkombëtar.

A. A., njëri nga të akuzuarit për grabitjen e përflakur në argjendarinë “Orhani” në Prizren, ka mohuar kategorikisht përfshirjen e tij në këtë ngjarje. Në dëshminë e tij gjyqësore, A. ka deklaruar se nuk ka qenë kurrë në Prizren dhe se nuk e njeh asnjë nga bashkëpunëtorët e tij të dyshuar.

Gjatë seancës gjyqësore, avokati i mbrojtjes e ka pyetur klientin e tij në lidhje me praninë e tij në argjendari, në të cilën A. ka mohuar çdo lidhje, duke shkuar deri aty sa të garantojë me jetën e tij se nuk ka qenë kurrë në atë qytet.

Megjithatë, këto deklarata bien në kundërshtim me dëshminë e dëmtuarës F. K., e cila ka identifikuar A. si një nga personat që kishte parë në argjendari disa ditë para ngjarjes.

Edhe i akuzuari E. Sh. ka dhënë dëshmi në gjykatë, duke pohuar se e ka ndihmuar të akuzuarin L. L. në ditën e ngjarjes, pasi vetura e tij kishte pësuar defekt. S. ka mohuar të ketë pasur ndonjë dijeni për planin për të kryer grabitjen.

Në aktakuzë thuhet se: A. A., i armatosur me automatik “AK-47”, L. L., i armatosur me pistoletë “CZ”, dhe  E. Sh., me një armë tjetër kanë hyrë me shpejtësi në argjendarinë “Orhani” ku ndodheshin pronari, Orhan Kasemi, dhe djali i tij, Ismet Kasemi, me qëllim të përvetësimit të paligjshëm të arit.

Sipas aktakuzës, A. dhe Sh. kanë qëlluar me armë, duke lënduar Ismetin dhe Orhanin.

Me këto veprime, të akuzuarit kanë bashkëvepruar në veprën penale grabitja në tentativë nga neni 317 parag.1 dhe 4, lidhur me nenet 28 dhe 31 të KPRK-së.

Të akuzuarit, në vend dhe kohë të njëjtë, pas shkrepjes me armë, duke marrë parasysh se në atë moment të pranishëm kanë qenë edhe një numër i madh i njerëzve, kanë shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve.

Ku kanë bashkëkryer veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 parag.1 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë kryer edhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 parag.1 të KPRK-së.

Me përdorim të forcës në grup dhe me armë, në mënyrë të kundërligjshme përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personit tjetër, ku pas largimit nga vendi i ngjarjes, gjatë ikjes bëjnë aksident. Duke arritur në afërsi të fshatit Lubizhdë, me armë në duar dhe me dhunë largojnë nga automjeti i veturës tjetër pronarin – të dëmtuarin S. Sh. ku më pas me këtë automjet vazhdojnë rrugën për në pompën e derivateve “XX” dhe më pas, me dhunë të armatosur, marrin një bidon të mbushur me karburant nga punëtori dhe më pas kthehen tek vetura e tyre e tipit “PASSAT”, të cilën e djegin dhe më pas largohen nga vendi i ngjarjes.

Ku kanë bashkëkryer veprën penale grabitja nga neni 317 parag.1 dhe 3 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Duke marrë parasysh lëvizshmërinë e madhe të kalimtarëve dhe qarkullimin e automjeteve, me anë të armëve shkaktojnë rrezik të madh për jetën e njerëzve, ku, duke u larguar nga vendi ku kanë djegur veturën e tyre, të cilët duke u larguar arrijnë në Suharekë pranë restorantit “Jaffa” dhe ballafaqohen me patrullën policore, ku në ikje nga xhami i pasmë i veturës shtiejnë në drejtim të policisë, duke rrezikuar edhe kalimtarët e rastit.

Ku kanë bashkëkryer veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 parag.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Gjithashtu, ata kanë asgjësuar pasurinë e personit tjetër që tejkalon vlerën 5 mijë euro, me qëllim të zhdukjes së provave, duke djegur automjetin “Polo” të dëmtuarit Sh.

Kanë bashkëkryer veprën penale asgjësim apo dëmtim i pasurisë nga neni 321 parag.1 dhe 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa, i akuzuari E. Sh., me dashje ka ndihmuar në shmangien e zbulimit ose arrestimit të kryesve të veprave penale, ku më pas takohet me të akuzuarit L., Sh. dhe A., ku më pas me automjetin e tij fshehurazi i dërgon në Prishtinë.

Me këto veprime ka kryer veprën penale dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale nga neni 380 parag.2 nënparag.2.9 e lidhur me parag.1 të KPRK-së.