Gjyqtari, Safet Hoxha nga Suhareka, zgjedhet zv.kryetar i Gjykatës Kushtetuese
Në një seancë administrative të mbajtur sot, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës kanë zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarin e ri.
Gjyqtari Nexhmi Rexhepi do të marrë drejtimin e kësaj gjykate më 31 dhjetor të këtij viti, duke zëvendësuar kryetaren aktuale, znj. Gresa Caka-Nimani, e cila ka përfunduar mandatin e saj nëntëvjeçar.
Ndërsa gjyqtari, Safet Hoxha nga Suhareka, është zgjedhur Zëvendëskryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjedhin vetë kryetarin dhe zëvendëskryetarin e tyre. Në këtë seancë, gjyqtari Safet Hoxha është zgjedhur zëvendëskryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Safet Hoxha u emërua gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, më 9 gusht 2018.
Që nga viti 2010 e deri në emërimin e tij në Gjykatën Kushtetuese, gjyqtari Hoxha ka ushtruar detyrën e Kryetarit të Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik të Republikës së Kosovës.
Gjatë viteve 2004 – 2010, ka punuar në pozitën e Udhëheqësit të Divizionit të Ligjshmërisë në kuadër të Agjencisë Qendrore të Prokurimit Publik të Kosovës, ndërkaq ndërmjet viteve 2003 dhe 2004, ai ishte i angazhuar si mësimdhënës i lëndës “E drejta kushtetuese” në Shkollën e Mesme “Skënder Luarasi” në Therandë.
Studimet universitare, gjyqtari Hoxha, i ka përfunduar në vitin 2003 në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ku edhe i kreu studimet pasuniversitare në drejtimin administrativ-kushtetues në vitin 2008.