Gjykata e Apelit kthen në rigjykim rastin “53-milionëshi”, Pal Lekaj dhe të tjerët përballen me një gjykim të ri

27.02.2025

Gjykata e Apelit ka marrë një vendim të rëndësishëm, duke e kthyer në rigjykim rastin e njohur si “53-milionëshi”, ku të akuzuar janë ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe tre bashkëpunëtorët e tij, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri.

Vendimi i Apelit anulon aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila i kishte dënuar të katërt të akuzuarit me një total prej 10 vjet e 3 muaj burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas vendimit të Apelit, ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve janë pranuar si të bazuara, duke e konsideruar të nevojshëm një rigjykim të çështjes. “APROVOHEN si të bazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve Pal Lekaj avokat Artan Qerkini, Nebih Shatri avokat Florent Latifaj, Eset Berisha avokat Afrim Salihu, Besim Tahiri avokat Urim Vokshi, dhe ankesa e vet të akuzuarit Eset Berisha, e sipas detyrës zyrtare, ANULOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamenti Special PS.nr4./2022 të datës 31.01.2024, dhe çështja penale kthehet në rigjykim dhe rivendosje,” thuhet në vendimin e Apelit.

Në aktgjykimin e shpallur më 31 janar 2024, Gjykata Themelore kishte dënuar Pal Lekajn me 3 vjet e 8 muaj burgim efektiv, si dhe ndalimin e ushtrimit të funksionit publik për 3 vjet e 6 muaj. Eset Berisha ishte dënuar me 3 vjet e 3 muaj burgim dhe ndalim të ushtrimit të funksionit publik për 3 vjet. Nebih Shatri dhe Besim Tahiri ishin dënuar secili me 1 vit e 8 muaj burgim dhe ndalim të ushtrimit të funksionit publik për 2 vjet.

Rasti “53-milionëshi” ka tërhequr vëmendjen e publikut për shkak të akuzave për keqpërdorim të detyrës zyrtare në Ministrinë e Infrastrukturës. Sipas Prokurorisë Speciale, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit, dhe bashkëpunëtorët e tij, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, kanë kryer veprime të paligjshme që kanë rezultuar në dëmtimin e buxhetit të shtetit.

Me kthimin e rastit në rigjykim, të akuzuarit do të kenë mundësinë të paraqesin përsëri mbrojtjen e tyre dhe të sfidojnë provat e prokurorisë. Vendimi i Apelit e rikthen çështjen në pikën zero, duke e lënë të hapur mundësinë për një vendim të ri nga Gjykata Themelore.