Një fitore e madhe për Kosovën: Tani edhe 697 banka gjermane e njohin si shtet të pavarur!

14.11.2024

Një lajm i mrekullueshëm vjen nga Gjermania! Pas suksesit të arritur me Deutsche Bundesbank dhe Commerzbank, tani edhe 697 banka të tjera gjermane, pjesë e grupit Volksbanken Raiffeisenbanken, do të njohin zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur në platformat e tyre.

Falë vigjilencës së qytetarëve dhe angazhimit të palodhshëm të diplomacisë kosovare, një problem i gjatë, ku Kosova ose lidhej gabimisht me Serbinë ose nuk figurojë fare në listën e shteteve, tashmë ka marrë fund për këto banka.

Si u arrit ky sukses?

Pas shumë ankesave dhe provave të paraqitura nga qytetarët kosovarë, ambasada e Kosovës në Gjermani ka intensifikuar përpjekjet për të korrigjuar këto gabime. Falë dialogut konstruktiv me përfaqësuesit e Volksbanken Raiffeisenbanken, është arritur një marrëveshje për të përditësuar të gjitha sistemet bankare.

Çfarë do të ndodhë më tej?

Procesi i përditësimit të sistemeve bankare është tashmë në vazhdim dhe pritet të zgjasë disa muaj. Në fund të këtij procesi, pra deri në prill të vitit 2025, të gjitha platformat e këtyre 697 bankave do të pasqyrojnë statusin e saktë të Kosovës si shtet i pavarur.

Çfarë mund të bëni ju?

Nëse edhe ju keni hasur në ndonjë institucion apo kompani gjermane që nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, ju lutemi të na njoftoni. Mund të na shkruani në adresën [email protected], duke bashkëngjitur çdo provë që mund të keni.

Një fitore e përbashkët

Ky sukses është rezultat i një përpjekjeje të përbashkët të qytetarëve, institucioneve dhe diplomacisë kosovare. Ai dëshmon se me bashkëpunim dhe këmbëngulje, mund të arrihen rezultate të dukshme.