Në Gjermani nga sot përdorimi i kanabisit legal

01.04.2024

Duke filluar nga dita e sotme, Gjermania ka legalizuar përdorimin e kanabisit për të rriturit.

Në Gjermani nga sot përdorimi i kanabisit legal Foto: Ilustrim

Përdoruesit nga mosha 18 vjeçe, do të kenë të drejtë të mbajnë deri në 25 gram kanabis, ndërsa në shtëpi deri në 50 gram.

Përdorimi i kanabisit mbetet i ndaluar gjatë ditës në zonat e këmbësorëve, në afërsi të kopshteve, shkollave dhe këndeve të lojërave për fëmijë.

Në Gjermani ka hyrë sot në fuqi ligji për legalizimin e përdorimit të kanabisit. Kjo nuk është shaka e një prillit.

Nga sot, të rriturit nga mosha 18 vjeçe, kenë të drejtë të mbajnë deri në 25 gram kanabis, ndërsa në shtëpi deri në 50 gram, përkatësisht të mbajnë pa frikë tre rrënjë të bimës “kanabis sativa”.

Sidoqoftë, përdorimi i kanabisit mbetet i ndaluar për përdorim gjatë ditës në zonat e këmbësorëve, në afërsi të kopshteve, shkollave dhe këndeve të lojërave për fëmijë.

Legalizimit të këtij ligji i kanë paraprirë debate të shumta publike dhe institucionale.

Koalicioni i partive në pushtet mes socilademokratëve të gjelbërve dhe liberalëve, i cili ka votuar legalizimin e kanabisit, shpreson se tani në Gjermani do të ketë një dobësim të tregut të zi.

Viteve të fundit ka pasur shtim të konsumit ilegal të kanabisit, sidomos tek moshat e reja, dhe sipas  statistikave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, në Gjermani janë rreth 4 milionë konsumues të rregullt të “kanabis sativës”.

Por, legalizimi i kanabis nuk është mirëpritur nga të gjithë. Ka pasur politikanë dhe pesonalitete, që janë shprehur kundër, siç është Markus Zëder, kryeministër i Bavarisë nga radhët e Unionit Social Kristian (CSU). Legalizimin e kanabisit, Zëder e ka cilësuar kaotik, ndërsa ka deklaruar se në Bavari, ligji i ri për legalizimin e kanabisit, do të zbatohet me restriksine.

Opozita konservatore CDU – CSU, ka kundërshtuar vazhdimisht legalizimin e kanabisit dhe ka paralajmëruar se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të suspenduar  ligjin e miratuar nga koalicioni qeveritar aktual.