Mashtrim i zbuluar: 53-vjeçari kosovar shfrytëzon “sëmundjen” e djalit për pushime më të gjata në Kosovë
Një rast i pazakontë është zbuluar nga policia kufitare në Memmingen, Gjermani.
Sipas njoftimit të policisë, më 9 janar 2025, gjatë kontrollit të imigracionit në një fluturim nga Prishtina, është identifikuar një burrë 53-vjeçar së bashku me djalin e tij 8-vjeçar. Hetimet e mëtejshme zbuluan se fëmija ishte i detyruar të ndiqte shkollën në Bavari dhe se më parë ishte raportuar si i sëmurë.
Sidoqoftë, një analizë më e thellë e rezervimeve të fluturimit tregoi se bileta e kthimit për në Memmingen ishte blerë që vitin e kaluar, pikërisht për datën 9 janar 2025. Kjo solli dyshimet e policisë se fëmija nuk ishte i sëmurë, por që pushimet e tij të fundvitit thjesht ishin zgjatur në mënyrë arbitrare.
Duke pasur parasysh këto zbulimet, policia ka nisur procedimin për gjobitje ndaj babait. Shkelja e detyrimit për të siguruar që fëmija të ndjekë shkollën është një shkelje serioze e ligjeve gjermane.