Gjermani, arrestohet 19-vjeçari nga Kosova për mashtrim ndaj një të moshuare
Një 19-vjeçar nga Kosova është mes tre personave të arrestuar nga policia gjermane, të dyshuar për një rast mashtrimi ndaj një gruaje të moshuar në qytetin e Hamburgut.
Foto: Ilustrim
Ngjarja ndodhi më 15 korrik në lagjen Othmarschen dhe përfshiu metoda të sofistikuara manipulimi përmes telefonit dhe transportit të organizuar.
Sipas autoriteteve, gjithçka filloi kur një burrë, duke u paraqitur si punonjës banke, telefonoi viktimën dhe e bindi se kishte pasur “transaksione të dyshimta” në llogarinë e saj. Gruas iu kërkua të dorëzonte një shumë parash për “arsye sigurie”. Mashtruesit madje organizuan një taksi për ta dërguar deri te vendi i dorëzimit të parave.
Pasi viktima dorëzoi një shumë të parë, mashtruesit i kërkuan edhe 30,000 euro të tjera. Në këtë fazë, ajo dyshoi për mashtrim dhe njoftoi policinë.
Policia e Hamburgut identifikoi një makinë VW Golf blu në zonën Bernadottestrasse, brenda së cilës ndodheshin dy persona – një 33-vjeçar gjerman dhe një 27-vjeçar polak – të cilët u arrestuan menjëherë. Në automjet u gjetën para dhe prova të tjera që u sekuestruan për hetime të mëtejshme.
Pak më vonë, viktima pranoi një telefonatë tjetër me të njëjtin qëllim dhe në adresën e saj u paraqit një 19-vjeçar nga Kosova, i cili gjithashtu u arrestua nga policia.
Të tre të dyshuarit janë dërguar në paraburgim, ndërsa një gjyqtar ka lëshuar urdhër-arreste ndaj tyre. Hetimet janë marrë nga njësitë e specializuara të krimeve të rënda (LKA 26 dhe LKA 43), të cilat po shqyrtojnë nëse të arrestuarit janë të lidhur me raste të tjera të ngjashme.
Policia e Hamburgut u bën apel qytetarëve, sidomos të moshuarve, që të jenë të kujdesshëm ndaj thirrjeve të dyshimta dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të mundshëm mashtrimi.