Gjermani, aksident masiv në një garë çiklizmi, rreth 70 çiklistë të plagosur
Një ngjarje e rëndë sportive ka ndodhur të dielën paradite në Bad Dürrheim, Baden-Württemberg, ku një “aksident masiv” në garën ndërkombëtare të çiklizmit “Riderman” ka shkaktuar plagosjen e rreth 70 pjesëmarrësve.
Sipas policisë gjermane, përplasja masive ndodhi në rrethrrotullimin Sunthausen, kur një çiklist i vetëm shkaktoi një reagim zinxhir që përfshiu dhjetëra garues. Sipas dëshmitarëve, 50 deri në 60 çiklistë u rrëzuan njëkohësisht, duke përfunduar mbi asfalt me biçikletat e bllokuara në vend, raporton platforma urgjent.com.
Pak më vonë, ndërsa trafiku i garuesve ishte bllokuar pas vendit të aksidentit, ndodhi edhe një aksident i dytë masiv, gjithashtu me dhjetëra të plagosur.
Nga informacionet fillestare, 20 pjesëmarrës pësuan lëndime të rënda, ndërsa 35 të tjerë u plagosën lehtë. Rreth 25 persona të tjerë u trajtuan menjëherë në vendngjarje dhe më pas u dërguan në spitale. Në total, policia vlerëson se 70 çiklistë kanë pësuar lëndime nga aksidentet.
Aksidentet ndodhën rreth orës 11:30 të paradites, duke vënë në lëvizje shërbimet e emergjencës me kapacitete të plota. Përveç dhjetëra ambulancave, në vendngjarje u dislokuan edhe katër helikopterë shpëtimi, të cilët transportuan disa nga të plagosurit në spitalet e zonës. Të lënduarit janë shpërndarë “gjerësisht” në spitale, sipas autoriteteve gjermane.
Organizatorët e garës, e cila kishte mbledhur rreth 1,200 pjesëmarrës, konfirmuan anulimin e menjëhershëm të garës dhe pezullimin e të gjitha aktiviteteve të tjera të parashikuara për të dielën. Policia gjermane ka sqaruar se deri më tani është përjashtuar çdo mundësi e “ndërhyrjes së jashtme” në garë si shkak i aksidentit, duke e lidhur ngjarjen me rrethanat e ngushtimit të fushës dhe manovrat e rrezikshme në kthesat e ngushta.
Ky mbetet një nga aksidentet më serioze të regjistruara në garat e çiklizmit në Gjermani vitet e fundit, duke e kthyer atmosferën sportive në një ditë të rëndë për organizatorët dhe garuesit.