Aksident i rëndë hekurudhor në Gjermani: Tre të vdekur dhe dhjetëra të plagosur

28.07.2025

Një tragjedi e rëndë ka ndodhur të dielën në mbrëmje në jug të Gjermanisë, ku një tren ekspres rajonal ka dalë nga shinat në zonën e Suabisë së Epërme, afër qytetit Riedlingen, si pasojë e një stuhie të fuqishme që goditi rajonin.

Sipas autoriteteve gjermane, dy vagona të trenit kanë dalë nga binarët, duke shkaktuar një bilanc tragjik: tre persona kanë humbur jetën, mes tyre shoferi i trenit dhe një punonjës i Deutsche Bahn (DB). Po ashtu, të paktën 50 persona janë lënduar, 25 prej të cilëve në gjendje të rëndë. Fillimisht, shifrat e të lënduarve ishin raportuar më të ulëta, por janë përditësuar nga shërbimet e emergjencës.

Hetimet paraprake sugjerojnë se shkaku kryesor i aksidentit është një rrëshqitje dheu, e shkaktuar nga reshjet intensive. Shërbimi Meteorologjik Gjerman raportoi se në një periudhë të shkurtër kohore ranë nga 30 deri në 40 litra shi për metër katror, duke shkaktuar mbingarkesë të kanalizimeve dhe rrëshqitje në argjinaturë – që besohet të ketë çuar në devijimin fatal të trenit.

Në vendngjarje ndodhen ekipet e kërkim-shpëtimit, të cilat po përdorin dronë dhe dhjetë qen shpëtimi, për të kontrolluar zonën për ndonjë viktimë apo të mbijetuar që mund të kenë mbetur nën mbeturina.

Reagimet nuk kanë munguar. Kancelari gjerman Friedrich Merz shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave: “Ne vajtojmë humbjen e jetëve. Ngushëllimet e mia më të thella për familjet e viktimave.”

Konsullata e Kosovës në Shtutgart: Nuk ka të konfirmuar shtetas kosovarë mes viktimave

Në lidhje me këtë aksident tragjik, Konsullata e Republikës së Kosovës në Shtutgart ka dalë me një deklaratë zyrtare, duke informuar qytetarët kosovarë që ndodhen në Gjermani dhe më gjerë.

“Të nderuar bashkatdhetarë, lidhur me aksidentin hekurudhor të ndodhur afër qytetit Riedlingen në Baden-Württemberg, ku një tren rajonal me rreth 100 pasagjerë ka dalë nga shinat duke shkaktuar viktima dhe të lënduar, ju njoftojmë se Konsullata e Republikës së Kosovës në Shtutgart është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane. Aktualisht, nuk ka konfirmim zyrtar që ndonjë shtetas i Republikës së Kosovës ndodhet në mesin e viktimave apo të lënduarve.”

Konsullata gjithashtu ka vendosur një numër emergjent kontakti për bashkatdhetarët që kanë nevojë për ndihmë apo informacione:

+49 152 37337814

“Shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe urojmë shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit,” thuhet në fund të njoftimit të Konsullatës.