DokuKids në kuadër të DokuFest-it: Një botë kreative për më të vegjlit në Prizren
Prizreni është kthyer këto ditë në një epiqendër të filmit dhe artit me edicionin e radhës të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, DokuFest.
Por, përveç filmave dhe aktiviteteve për të rritur, një hapësirë e veçantë dhe shumëngjyrëshe është krijuar për më të vegjlit – DokuKids.
Ky program i dedikuar fëmijëve sjell aktivitete të ndryshme kreative, edukative dhe argëtuese, me qëllim që t’i frymëzojë ata përmes filmit, artit dhe lojës. DokuKids u ofron fëmijëve mundësinë të shprehin vetveten, të mësojnë përmes përvojave të reja dhe të zhvillojnë imagjinatën në një ambient të sigurt dhe të këndshëm.
Gjatë gjithë ditëve të festivalit, kjo hapësirë e veçantë kthehet në një botë idesh dhe ngjyrash, ku fëmijët janë në qendër të vëmendjes. Me një program të kuruar posaçërisht për ta, fëmijët kanë mundësi të ndjekin filma të përshtatshëm për moshën e tyre, të marrin pjesë në punëtori artistike, të luajnë lojëra kreative dhe të realizojnë vetë filma të shkurtër.
“Këtu luajmë, i kemi gjashtë punëtori. Fëmijët munden edhe të bëjnë filma dhe mund të luajnë. Nga ora dhjetë deri në ora tre është orari, dhe në ora dhjetë deri në ora 12 shikojmë filma”, shprehet Bora Godeni, një prej organizatoreve.

Entuziazmi nuk mungon as nga fëmijët pjesëmarrës. Buna Haxholli tregon për përvojën e saj: “Kemi luajtur lojëra, kemi shikuar filma dhe kemi qenë në punëtori. Aty kemi bërë edhe filma dhe jemi kënaqur shumë.”
Ndërsa Klesta Lezi ndau përshtypjet për një film që i la mbresa: “Më ka pëlqyer një film për një vajzë emigrante që kishte ëndërr të bëhej këngëtare dhe balerinë. Familja nuk e lejonte, por përmes një shfaqjeje ajo e shprehu talentin e saj.”
Edhe prindërit shprehen të kënaqur me organizimin. Hysein Gashi, një prind, tha: “Më duket mirë dhe edukativ. Fëmijët e kalojnë një kohë të bukur këtu, sidomos larg përditshmërisë që e kanë në shtëpi. Është një ide shumë e mirë.”
Programi i DokuKids është i shpërndarë në një javë, nga dita e dytë e festivalit deri në ditën para përfundimtare. Malborja Krajku, kuratore dhe koordinatore e këtij programi, tregon se “për një javë kemi një program shumë të pasur që enkas e kurojmë për fëmijët.”
DokuKids mbetet një shembull i shkëlqyer se si një festival i filmit mund të jetë gjithëpërfshirës, duke krijuar një ambient ku fëmijët jo vetëm që argëtohen, por edhe mësojnë dhe zhvillohen përmes përvojës kulturore dhe artistike. Një hapësirë ku edukimi takohet me krijimtarinë – dhe ku më të vegjlit janë pjesë aktive e së tashmes dhe së ardhmes.
