”Afërdita” përsëri në fshat, përurohet Shtëpia e Kulturës në Mushtisht

21.05.2025

Sot, më 21 maj 2025, Mushtishti shënoi një ditë të veçantë me përurimin e Shtëpisë së re të Kulturës “Afërdita”.

Ky eveniment vjen si një vlerësim i trashëgimisë së Shoqërisë kulturore-artistike “Afërdita”, e cila gjatë viteve të 70-ta u shndërrua në një qendër të rëndësishme të muzikës së mirëfilltë shqiptare.

Për dekada të tëra, SH.K.A “Afërdita” kultivoi me pasion këngët popullore shqiptare, duke shërbyer si burim frymëzimi për breza të rinj dhe si një formë e heshtur rezistence ndaj sistemit të kohës. Falë angazhimit të anëtarëve të saj, shoqëria arriti një njohje të gjerë, duke e bërë Mushtishtin një vatër të rëndësishme të kulturës shqiptare. Një nga emrat e shquar që nisi rrugëtimin e saj artistik pikërisht në “Afërdita” ishte edhe ikona e muzikës shqiptare, Shkurte Fejza.

Përurimi i qendrës së re kulturore “Afërdita” shënon një hap të rëndësishëm për vazhdimësinë e kësaj tradite të çmuar dhe ofron një hapësirë moderne për zhvillimin e mëtejshëm të aktiviteteve kulturore dhe artistike në Mushtisht dhe më gjerë.