“Vendosni tani dhe ndalojeni këtë luftë qesharake!”, Trump kërkon përfundimin e luftës në Ukrainë

23.01.2025

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë një paralajmërim të fortë për presidentin rus, Vladimir Putin, duke i kërkuar t’i japë fund luftës në Ukrainë.

Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump deklaroi se, nëse Moska nuk ndërmerr hapa për t’i dhënë fund konfliktit, Shtetet e Bashkuara do të vendosin tarifa të larta dhe sanksione të reja për produktet dhe eksportet ruse.

“Vendosni tani dhe ndalojeni këtë luftë qesharake! Do të bëhet gjithnjë e më vështirë. Nëse nuk arrijmë një marrëveshje dhe atë së shpejti, nuk kam zgjidhje tjetër veçse të vendos shkallë të lartë taksash, tarifash dhe sanksionesh mbi çdo gjë që Rusia i shet Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera,” ka shkruar Trump. Ai shtoi se ky presion ndaj Kremlinit po bëhet për ta detyruar Putinin të mendojë ndryshe dhe për t’i dhënë fund asaj që ai e quajti “një luftë e pakuptimtë”.

Nga pala ruse ende nuk ka pasur një reagim zyrtar për këto komente, megjithatë zyrtarë të lartë në Moskë kanë shprehur skepticizëm mbi mundësinë e një bashkëpunimi të ngushtë me administratën Trump. Presidenti amerikan ka paralajmëruar gjithashtu se së shpejti planifikon të zhvillojë një bisedë direkte me presidentin rus për të diskutuar mbi situatën.