Tragjedi në Suedi: 10 të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në një shkollë
Një tragjedi e rëndë ka tronditur Suedinë të martën, kur një person i armatosur hapi zjarr në një institucion arsimor për të rriturit në qytetin Örebro, duke lënë të paktën dhjetë persona të vdekur dhe disa të plagosur.
Foto: Ilustrim
Lajmin e konfirmoi policia suedeze, e cila theksoi se ende nuk është përcaktuar numri i saktë i viktimave.
Sipas shefit të policisë, Roberto Eid Forest, autoritetet kanë nisur hetimet për vrasje, zjarrvënie dhe shkelje të ligjeve për armët. “Ne e dimë se rreth dhjetë njerëz u vranë këtu sot,” deklaroi Forest. Hetuesit deri më tani nuk besojnë se sulmi ka qenë një akt terrorist, ndërsa autori i dyshuar, që supozohet të jetë në mesin e të vdekurve, nuk ka pasur më parë kontakte me policinë dhe nuk kishte lidhje me ndonjë bandë kriminale. Policia dyshon se ai ka vepruar i vetëm.
Dëshmitë nga vendngjarja
Të shtënat ndodhën rreth mesditës në kampusin Risbergska, një shkollë për të rriturit në Örebro, rreth 200 kilometra në perëndim të Stokholmit. Drejtoresha e institucionit, Ingela Bäck Gustafsson, tha për radion SVT se ishte në pushimin e drekës kur dëgjoi studentët të bërtisnin që të largoheshin nga ambientet e shkollës.
Një prej mësueseve, Maria Pegado, 54 vjeç, tregoi për Reuters momentet e frikshme që përjetoi me nxënësit e saj. “Dikush shtyu derën e klasës dhe na kërkoi të dilnim jashtë. I çova të 15 studentët e mi në korridor dhe filluam të vraponim,” tha ajo. “Pastaj dëgjova dy të shtëna, por ia dolëm të shpëtonim. Kur arritëm pranë hyrjes së shkollës, pashë njerëz që tërhiqnin zvarrë të plagosurit. E kuptova se ishte shumë serioze.”
Gjendja e të plagosurve
Pesë persona të plagosur u transportuan menjëherë në spital, sipas drejtorit të shërbimeve shëndetësore të rajonit, Jonas Claesson. Katër prej tyre iu nënshtruan operacionit, ndërsa dy janë në gjendje stabile. Një tjetër person është raportuar në gjendje të rëndë, ndërsa për të plagosurit e tjerë nuk është dhënë informacion i detajuar.
Reagimet zyrtare
Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, e përshkroi këtë si “sulmin më të rëndë me armë zjarri në historinë e vendit.” Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos spekulojnë për motivet e autorit, duke shtuar se ende ka shumë pyetje pa përgjigje. “Është një ditë shumë e dhimbshme për të gjithë Suedinë,” shkroi Kristersson në platformën X. “Askush nuk duhet të përjetojë makthin e uljes në një klasë dhe frikës për jetën e tij.”
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, reagoi lidhur me këtë ngjarje tragjike. Në një postim në X, ajo shkroi:
“Sulmi i tmerrshëm në një shkollë në Örebro, Suedi, është zemërthyes. Shkollat duhet të jenë vende të rritjes dhe të mësimit, jo të frikës dhe terrorit. Në këto momente të vështira, qëndrojmë pranë popullit të Suedisë. Mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre, dhe u urojmë shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve.”
Autoritetet suedeze kanë nisur hetime të detajuara për të zbardhur motivet dhe rrethanat e këtij sulmi tragjik, ndërsa vendi po përjeton një nga momentet më të errëta në historinë e tij të fundit.