Sot fillon Forumi Ekonomik në Davos, marrin pjesë Kurti dhe Vuçiqi

15.01.2024

Sot, fillon Forumi Ekonomik Botëror që do të mbahet në Davos të Zvicrës dhe i cili do të zgjasë deri më 19 janar. Në Forumin Ekonomik të Davosoit, do të marrin pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ndryshe takimi vjetor i Forumit Ekonomik Botëror këtë vit ka temën ‘Rindërtimi […]

Sot fillon Forumi Ekonomik në Davos, marrin pjesë Kurti dhe Vuçiqi Foto: Ilustrim

Sot, fillon Forumi Ekonomik Botëror që do të mbahet në Davos të Zvicrës dhe i cili do të zgjasë deri më 19 janar.

Në Forumin Ekonomik të Davosoit, do të marrin pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ndryshe takimi vjetor i Forumit Ekonomik Botëror këtë vit ka temën ‘Rindërtimi i besimit” dhe mbahet nga 15–19 janar 2024.

Takimi i 54-të vjetor i Forumit Ekonomik Botëror do të ofrojë një hapësirë vendimtare për t’u fokusuar në parimet themelore që nxisin besimin, duke përfshirë transparencën, qëndrueshmërinë dhe llogaridhënien.

Ky takim vjetor do të mirëpresë mbi 100 qeveri, të gjitha organizatat kryesore ndërkombëtare, 1000 partnerë të Forumit, si dhe drejtues të shoqërisë civile, ekspertë, përfaqësues të rinjsh, sipërmarrës socialë dhe media.

Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pritet t’i takojë ndaras kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Sano, duke konfirmuar këto takime sqaroi se megjithatë nuk pritet të ketë takim trepalësh.

Sidoqoftë pjesëmarrja e të gjithëve në këtë forum nga analistët në Prishtinë po shihet si mundësi e mirë që do të shfrytëzohet nga ndërmjetësi i BE-së për rikthim të palëve në tavolinën e bisedimeve.

“Bashkimi Evropian nuk takon palët, nëse nuk ka përgatitur paraprakisht se çfarë do të diskutohet. Për momentin nuk ka një temë të hapur. Prandaj, çfarë do të ndodhë realisht në Davos, është se palët do të paraqesin qëndrimet e tyre. Serbia do të ankohet se Kosova nuk e respekton marrëveshjen që ka të bëjë me Asociacionin, ndërkaq në anën tjetër Kosova do të tregojë se si Serbia vetëm para pak kohësh ka ndërmarrë veprime agresore ndaj Kosovës”, ka deklaruar për RTK-në, analisti Dorajet Imeri.

Sa i përket arritjes së ndonjë marrëveshjeje eventuale mes palëve, Imeri nuk është optimist se do të arrihet këtë vit.

Sipas tij, kjo mund të ndryshojë vetëm nëse këmbëngulin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nëse SHBA-ja është e interesuar sikur para katër vitesh, atëherë me Grenell, ku palët ishin para një momenti “merre ose leje”, pra nëse SHBA-ja dëshiron mund të ndodh një marrëveshje. Por, me këtë dinamikë, me këto palë të përfshira për momentin, nuk besoj që edhe ky vit që jemi do të prodhojë ndonjë rezultat tjetër”, shtoi analisti.

Takimi i fundit Kurti-Vuçiq në kuadër të dialogut është mbajtur në shtator të vitit të kaluar, që pati përfunduar pa rezultat.