Kosova bashkohet me Operacionin Interflex për të mbështetur Ukrainën
Kosova është bërë pjesë e një iniciative globale të udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar për të trajnuar ushtarët ukrainas.
Operacioni Interflex, siç quhet kjo nismë, ka për qëllim të rrisë aftësitë dhe gatishmërinë e forcave ukrainase për t’iu bërë ballë sfidave të sigurisë.
Deri më tani, mbi 50,000 rekrutë ukrainas janë trajnuar nën këtë operacion, duke përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme kapacitetet e tyre ushtarake. Kosova, së bashku me vende të tjera si Rumania dhe Estonia, është bashkuar së fundmi me këtë koalicion gjithnjë në rritje.
”50,000 rekrutë ukrainas janë trajnuar nën Operacionin Interflex, duke përmirësuar aftësitë dhe gatishmërinë e tyre. Kosova, Rumania dhe Estonia janë kombet më të fundit që i janë bashkuar këtij përpjekjeje globale, duke qëndruar të bashkuar për lirinë dhe qëndrueshmërinë”, kanë shkruar në platformën X zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.
Ky angazhim i Kosovës dëshmon për solidaritetin e vendit tonë me Ukrainën dhe për përkrahjen e saj për lirinë dhe qëndrueshmërinë ndërkombëtare.