Austri, vazhdon kërkimi për të burgosurin kosovar që u arratis nga spitali në Salzburg: I zhdukur pa gjurmë prej dy muajsh
Një 25-vjeçar nga Kosova, i cili ndodhej në paraburgim në Austri për disa vepra vjedhjesh, ka arritur të arratiset në rrethana të pazakonta dhe është i zhdukur pa gjurmë tash e dy muaj.
Ngjarja ka ndodhur më 7 janar në spitalin e aksidenteve në Salzburg, ku i riu ishte dërguar për një ekzaminim me rreze X.
Sipas raportimeve nga mediat austriake, përfshirë “Krone”, kosovari ka shfrytëzuar momentin e pakujdesisë gjatë trajtimit mjekësor për të shpëtuar nga mbikëqyrja e oficerëve gjyqësorë. Arratisja ndodhi pas një ndjekjeje të shkurtër, ku zyrtarët humbën shpejt nga sytë të dënuarin. Që nga ai moment, nuk ka pasur asnjë gjurmë të tij.
“Njeriu është ende në arrati,” konfirmoi inspektori Johann Schnöll nga burgu Puch-Urstein. “Kërkimet për gjetjen e tij janë ende në vazhdim, por nuk konsiderohet si një rrezik i menjëhershëm për publikun.”
Ende mbetet e paqartë nëse kosovari ndodhet ende në Salzburg, apo ka lëshuar territorin austriak. Arratisja e tij ka ndodhur në një prej vendeve që konsiderohet me siguri të lartë, dhe raste të tilla janë tepër të rralla. Që nga viti 2020, vetëm katër të burgosur kanë arritur të arratisen në Salzburg – tre prej tyre gjatë dërgimeve për trajtime mjekësore ose detyra jashtë burgut.
Autoritetet austriake vazhdojnë hetimet dhe kërkimet për të gjetur të riun kosovar, ndërkohë që ende nuk dihet se si arriti të zhdukej pa lënë asnjë gjurmë.