Austri, arrestohen babë e bir nga Kosova, dhunuan disa adoleshentë pas një debati për skuter elektrik
Një incident ka ndodhur të premten mbrëma në qytetin Bruck an der Mur në Austri, ku një baba 61-vjeçar dhe djali i tij 19-vjeçar nga Kosova janë përfshirë në një sulm fizik ndaj disa të rinjve, pas një debati për skuterët elektrikë të parkuar në trotuar.
Sipas Policisë së Shtetit të Styria-s, rreth orës 21:00, qytetarë të shumtë kishin raportuar përmes telefonit se një burrë po sulmonte kalimtarë në sheshin Minoritenplatz. Konflikti verbal që kishte shpërthyer më parë, eskaloi në dhunë fizike.
Burri 61-vjeçar kishte kërcënuar disa persona me një thikë të palosshme dhe më pas kishte goditur me të një adoleshent. Për fat të mirë, nuk është raportuar për plagë të rënda nga sulmi me thikë. Sipas autoriteteve austriake, ky person kishte ndalim zyrtar për armëmbajtje dhe për këtë arsye u arrestua menjëherë nga policia.
Ndërkohë, gjatë ndërhyrjes së forcave të rendit, djali i tij 19-vjeçar papritur e sulmoi me grusht në kokë një dëshmitar 17-vjeçar të incidentit. I riu u rrëzua në tokë dhe për një moment humbi ndjenjat. Ai u dërgua në Spitalin Rajonal të Leobenit për trajtim mjekësor.
Edhe 19-vjeçari u arrestua në vendngjarje. Autoritetet austriake kanë konfirmuar se hetimet për këtë rast të rëndë janë ende në zhvillim.