Një “rikthim” i Dr.Sali Asllanajt me Qeverinë Hoti!

Të mërkurën e kaluar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se pasi të gjitha partitë, pos Vetëvendosjes, janë shprehur pro formimit të Qeverisë së re pa shkuar në zgjedhje, do t’ia japë mandatin atyre që mund të formojnë shumicën parlamentare.

Si rrjedhojë e kësaj, presidenti i ka kërkuar mandatin partisë që siguron shumicën parlamentare në këtë rast LDK-së së Isa Mustafës, parti kjo që ka dëshmuar se ka shumicën në Kuvend për të formuar qeverinë e re.

Sipas deklarimeve LDK në koalicion me AAK, NISMA, AKR me pakicat serbe dhe jo serbe do të udhëheqin me Qeverinë e Kosovës me mandat të plotë me kryeministër Avdullah Hoti.

Ndarja e posteve dhe emërimi i zv.ministrave e stafit politik sigurisht do të jetë diskutimi i ardhshëm brenda strukturave të partive të qeverisjes së ardhshme.

Se a ka preferenca dhe vullnet politik që të jetë pjesë e Qeverisë Hoti, pas tre mandateve si kryetar i Komunës së Suharekës, Dr.Sali Asllanaj, nuk ka mohur e as pohuar asgjë duke e lënë si punë të kryesisë qendrore të LDK-së.

I kontaktuar nga SuharekaOnline ish-kryetari i Komunës së Suharekës, Dr.Sali Asllanaj, ka treguar nëse do të pranonte të jetë pjesë e Qeverisë Hoti.

Asllanaj ka thënë se kjo punë i përket kryesisë qendrore të LDK-së dhe se tashmë ai ka një angazhim në grupin parlamentar të LDK-së.

Me gjithë insistimin për mundësinë e (mos)pranimit të ndonjë posti në Qeverinë Hoti, ish-kryetari i degës së LDK-së në Suharekë, Dr.Sali Asllanaj, ka thënë që nuk dëshiron të imponohet dhe se është vendim i kryesisë qendrore.

Kujtojmë se Dr.Sali Asllanaj ka qenë tre mandate kryetar i Komunës së Suharekës nga viti 2002-2009 dhe nga viti 2013-2017 si dhe kryetar i degës së LDK-së në Suharekë deri në vitin 2019.

RAPORTO