Policia sekuestron armë dhe pajisje për kriptovaluta ne Leposaviq, lirohen dy të arrestuar
Policia e Kosovës ka konfiskuar dy pushkë, një pushkë dytyshe me 21 fishekë, një pushkë ajrore dhe pajisje për prodhimin e kriptovalutave gjatë një kontrolli në shtëpitë e dy personave në Leposaviq.
Lajmi bëhet i ditur në raportin 24-orësh të Policisë, shkruan Telegrafi.
Sipas raportit zyrtar, dy të dyshuar meshkuj kosovarë u arrestuan pas kontrollit të banesave të tyre, i cili u zhvillua më 7 maj 2025, rreth orës 12:30. Gjatë operacionit, përveç armëve të lartpërmendura, u gjetën edhe pajisje elektronike që shërbejnë për prodhimin e kriptovalutave.
Në raportin e Policisë thuhet: “Leposaviq 07.05.2025 – 12:30. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që gjatë kontrollit në shtëpitë e tyre janë gjetur dhe konfiskuar dy pushkë, një pushkë dy tytëshe me 21 fishekë dhe një pushkë ajrore. Po ashtu janë gjetur edhe pajisje elektronike për prodhimin e kriptovalutave. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.”
Pas intervistimit nga ana e hetuesve, me vendim të prokurorit kompetent, të dy të dyshuarit janë liruar dhe do të ndiqen në procedurë të rregullt. Nuk jepen detaje të tjera lidhur me arsyet e kontrollit apo natyrën e veprave të mundshme penale.