Lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës që u arrestua nga Serbia

19.04.2024

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës ka njoftuar se zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, është liruar, nga autoritetet e Serbisë.

Lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës që u arrestua nga Serbia Foto: Ilustrim

Ai u mbajt në Rashkë që prej dje pas ndalimit në kufi.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës ka njoftuar se ai është duke ardhur në Kosovë.

“MPJD njofton opinionin e gjerë publik se përfaqësuesi i zyrës së Republikës së Kosovës në Serbi, ambasadori Jetish Jashari, ka konfirmuar se zëvendësdrejtorit i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, sapo është liruar dhe ndodhet rrugës për në Kosovë. Në vijim do të njoftoheni për më shumë detaje”, thuhet në njoftimin e publikuar në Facebook.

Pas lirimit të Jankoviqit, ka reaguar, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, e cila ka theksuar se ai ishte ndaluar për dy ditë me radhë arbitrarisht dhe është marrë në pyetje nga organet e Serbisë.

“Ky arrestim ishte vetëm një prej akteve të dëshpëruara hakmarrëse të Serbisë pas votës masive të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësim të Kosovës në këtë organizatë nga më të rëndësishmet ndërkombëtare”, ka shkruar ajo në Facebook.