KESCO: Paguani faturat e rrymës vetëm në kanalet e autorizuara dhe zyrtare, disa mesazhe që po qarkullojnë nuk janë nga ne

07.03.2025

KESCO ka lëshuar një paralajmërim urgjent për konsumatorët e saj, duke informuar se një SMS mashtruese po qarkullon, duke i kërkuar pagesa të menjëhershme për energjinë elektrike. Kompania ka sqaruar se nuk ka asnjë lidhje me këtë mesazh dhe u bën thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm.

SMS-ja mashtruese pretendon se pagesa e energjisë elektrike është me vonesë dhe kërcënon me penalitete të rënda, shkëputje të energjisë dhe kërkesë për rilidhje personale, nëse pagesa nuk kryhet brenda 24 orëve. Gjithashtu, ajo përmban një link të rremë për pagesë, duke kërkuar të dhëna personale dhe të pagesës.

“Pagesa juaj e energjisë elektrike është ME VONESE! Sipas rregulloreve të Kosovës, nëse nuk paguhet brenda 24 ORËVE:

  • Aplikohet penalitet 18%
  • Energjia elektrike do të shkëputet
  • Kërkohet rilidhje personale
  • Paguani tani: [link i rremë]
  • Pa regjistrim – thjesht futni ID-në dhe të dhënat e pagesës”

KESCO thekson se kjo SMS është një mashtrim dhe se kompania nuk dërgon mesazhe të tilla. Ajo u bën thirrje konsumatorëve të kryejnë pagesat vetëm përmes kanaleve zyrtare, si aplikacioni eKesco, arkat në qendrat e KESCO-s, platforma eKosova dhe bankat apo institucionet mikrofinanciare.