​“Të drejtat e njeriut në pikëpyetje” – Avokati i Popullit flet për ndikimin e Inteligjencës Artificiale

02.12.2025

Mbrojtja e të drejtave të njeriut po vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje, u theksua gjatë konferencës ndërkombëtare të organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit, me temën “E Ardhmja e të Drejtave të Njeriut në mes të Transformimeve Globale: Sfidat Kombëtare dhe Detyrimet Ndërkombëtare”. Ngjarja u mbajt në kuadër të 25-vjetorit të themelimit të këtij institucioni.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, riktheu vëmendjen te përvojat historike të Kosovës, duke kujtuar kohët e errëta të shtypjes dhe persekutimit, dhe nevojën për rindërtimin e dinjitetit shoqëror në kushte të vështira. Ai theksoi se e ardhmja duket e trazuar për shkak të konflikteve globale, agresionit ndaj Ukrainës, krizave humanitare në Lindjen e Mesme, kriza ekonomike dhe ndryshimeve të shpejta teknologjike. Qelaj veçoi rolin gjithnjë e më të madh të inteligjencës artificiale dhe algoritmeve, që mund të ndikojnë në të drejtat e njeriut më shumë sesa mekanizmat e pushtetit ose institucionet publike.

Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, theksoi rëndësinë e individit si epiqendër e të drejtave të njeriut. Ai nënvizoi se shoqëritë e lira dhe demokratike nuk duhet të humbin fokusin nga dinjiteti dhe të drejtat e patjetërsueshme të çdo qytetari, veçanërisht në kohën e ndryshimeve të thella globale që shkaktojnë tensione të reja.

Pavarësia e gjyqësorit dhe e institucioneve të pavarura është prioritet, sipas kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Nexhmi Rexhepi, i cili theksoi nevojën për të thelluar kulturën e kushtetutshmërisë dhe respektimin e Kushtetutës jo vetëm në letër, por edhe në praktikë.

Drejtoresha e Agjencisë së Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore, Sirpa Rautio, theksoi se promovimi i të drejtave të njeriut është themeli i paqes dhe drejtësisë, por ky mjedis nuk është gjithmonë i garantuar. Ajo shtoi se institucionet e pavarura shpesh përballen me ndërhyrje, frikësime dhe hakmarrje nga qeveritë, duke e bërë mbrojtjen e të drejtave të njeriut një sfidë të vazhdueshme.

Konferenca nxiti debat mbi nevojën për forcimin e mekanizmave institucionalë, respektimin e standardeve ndërkombëtare dhe angazhimin e vazhdueshëm të shteteve dhe institucioneve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në një botë gjithnjë e më të ndërlikuar.